OJQ-ja kosovare humbi gjysmë milioni euro për t’u bërë bankë

Kosovo Enterprise Program shpenzoi 500,000 euro për konsulencë dhe pagesa për teknologji informative në një përpjekje të dështuar për t’u shndërruar në bankë.

Nga Nektar Zogjani, Lawrence Marzouk, BIRN

The Kosovo Enterprise Program (Programi Kosovar për Sipërmarrje) – KEP, një organizatë jo-fitimprurëse që ofron hua për të varfrit, ka shpenzuar rreth 500,000 euro të fondeve të parashikuara për bamirësi për të paguar konsulencë dhe softuere, në përpjekjen e saj të dështuar për t’u bërë bankë.

KEP Trust, institucioni më i madh mikrofinanciar (IMF) në Kosovë, ka qenë udhëheqës i grupit lobist që ka bërë fushatë tek qeveria për të hartuar legjislacion që do t’u mundësonte atyre dhe kolegëve të vet që të shndërroheshin nga OJQ në kompani private.

Si organizatë jo-qeveritare, KEP-it dhe çdo IMF-je tjetër, u kërkohet që të riinvestojnë në punë bamirësie çdo të ardhur të gjeneruar.

KEP-i u themelua në shtator të vitit 1999 pas konfliktit në Kosovë për të “promovuar grupet e margjinalizuara dhe të varfrit”.

Themeluar nga Komisioni Ndërkombëtar Katolik për Migrim (ICMC) një organizatë e madhe zvicerane për bamirësi, dhe Klubi i Biznesit të Prizrenit, KEP ofron kredi të vogla për individët dhe bizneset të cilat e kanë të vështirë për të marrë financim nga bankat e zakonshme.

Në vitin 2008, KEP, që kishte krijuar kapital në vlera të mëdha përmes ofrimit të kredive, vendosi të ushtrojë presion te qeveria e Kosovës, ambasadat dhe institucionet tjera financiare për legjislacion të ri.

Kjo do ta lejonte atë, dhe IMF-të tjera, për t’u transformuar në institucion financiar fitimprurës – siç është banka – në pronësi të aksionarëve.

Në përgatitje për ndryshimin e pritur, KEP-i kishte shkuar aq larg sa të krijojë një rrjet të kompanive, përfshirë Bankën KEP, e cila ishte në pronësi të KEP Trust përmes një kompanie, KEP Holding, juridiksionin famëkeq ‘offshore’ [me ligje që kërkojnë shumë pak llogari ndaj kompanive të huaja] në Amerikë, në Delaëare.

Duke pasuar ndryshimet në ligj, llogaritë kreditore të kësaj OJQ-je do të mund të shiteshin tek KEP Banka e sapo themeluar, e cila pjesërisht do të ishte në pronësi të KEP Trust dhe të një investitori të ri privat.

Sidoqoftë, sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), emërimi i kompanisë KEP Bank ka shkelur dy rregullore të UNMIK-ut që ishin miratuar në periudhën e pas-konfliktit, kur Kosova udhëhiqej nga misioni i Kombeve të Bashkuara.

Rregullorja e parë thekson që asnjë kompani nuk mund të përdorë termin ‘bankë’ pa një leje nga BQK-ja, ndërsa e dyta u ndalon të gjitha institucioneve financiare që të përdorin këtë fjalë.

KEP-i humbi gjysmë milioni euro në pagesa për konsulencë dhe programe të reja kompjuterike pasi u detyrua të heq dorë nga planet për të ndryshuar statusin në ‘fitimprurës’ – kjo sipas auditorëve të brendshëm.

Në fund një administrator ishte emëruar nga BQK-ja për të menaxhuar KEP në vitin 2011, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të siguruar menaxhim më efikas dhe parandalim të dëmtimit të mëtjeshëm të financave të organizatës. Planet për t’u shndërruar në bankë ishin pezulluar në këtë pikë.

Kur ligji i ri – për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare – u miratua më në fund në prill të vitit 2012 në favor të ndryshimit të IMF në institucione fitimprurëse, OJQ-të tjera e dërguan çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila e bllokoi atë ligj duke e cilësuar si “jo-kushtetues”.

Fushata e OJQ-ve argumentonte që ky ndryshim do të bënte që paratë e donatorëve të shkojnë në duar të investitorëve privatë.

Të pyetur për të dhënë mendimin e tyre për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, menxhmenti aktual i KEP i tha BIRN që ata kanë besuar se ‘ligjëbërja në të ardhmen” do të jetë më mirëkuptuese ndaj pikëpamjeve të IMF-ve.

“KEP-i ndjen keqardhje që IMF-të, që ishin aktorët kryesorë në këtë proces, nuk u lejuan të flasin në dëgjimin publik [të Gjykatës Kushtetuese]”, thanë ata.

Ky hulumtim është prodhuar nga BIRN si pjesë e projektit ‘Gjurmimi i Dokumenteve për një Qeverisje më të Mirë’.

SHKARKO APP