Operacioni “Jaguar”, arrestohen tre fajdexhi në Prishtinë

Tre persona të dyshuar për detyrim dhe fajde janë arrestuar të enjten në mëngjes nga Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria e Hetimeve të Krimit të Organizuar.

Operacioni policor i koduar “JAGUAR” është kryer në katër lokacione të Prishtinës, me ç'rast është bërë arrestimi i tre të dyshuarve, N.H. (1973), E.H. (1947), dhe N.Q. (1968) dhe janë kontrolluar objektet përcjellëse të tyre.

“Sot, me datën 17 shtator 2015, pas hetimeve të kryera disamujore, lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi, që në vazhdimësi merrej me vepra penale ‘fajde’, ‘detyrim’, ‘kanosje’ dhe ‘krim i organizuar’, ka ndërmarrë operacionin policor të koduar JAGUAR”, raportoi Policia e Kosovës.

Të dyshuarit në bashkëpunim, kanë kryer veprat e lartcekura me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm, njofton tutje Zyra e Informimit të Policisë së Kosovës.

Sipas Policisë, gjatë këtij operacioni janë sekuestruar si prova materiale para të gatshme 1800 (një mijë e tetëqind) euro, 4 armë të gjata (dy AK-47 dhe dy armë gjuetie), armë e shkurtër (GLOK 9×19), 55 fishekë kalibër të ndryshëm, tri vetura, një palë pranga, një thikë, tre telefona celularë, një laptop, dokumente të ndryshme që vlejnë si prova për procedurë.

Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje policore për vazhdim të procedurës së mëtejme.

SHKARKO APP