Operacioni në veri të Kosovës, Ramush Haradinaj thirrje për të ruajtur qetësinë

Kryeministri i Kosovës i ka drejtuar një thirrje qytetarëve të Kosovës për të ruajtur qetësinë, në kushtet kur në veri të Kosovës është zhvilluar një operacion i madh policor për kapjen e vrasësve të Oliver Ivanoviçit dhe serbët janë përpjekur ta tensionojnë situatën.

Në një mesazh në Facebook sot, Haradinaj shkruan:

“Sot, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në veri të Kosovës është zhvilluar një operacion policor, që ndërlidhet me ndalimin e disa të dyshuarve për vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Ky veprim policor ishte në pajtim të plotë me ligjin, konform urdhërit të Prokurorisë Speciale, dhe nuk ndërlidhet në asnjë mënyrë me asnjë zhvillim politik. Dua të siguroj të gjithë qytetarët se shteti i Kosovës dhe organet e tij të rendit, në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk do të orientohet kundër asnjë grupi etnik apo politik.

Thërras qytetarët, subjektet politike, kryetarët e komunave posaçërisht ata në veri dhe organet e tjera, që të kontribuojnë në mbajtjen dhe avancimin e qetësisë publike, në shërbim të paqes dhe stabilitetit.

Është më rëndësi që askush të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme. Ruajtja e rendit dhe respektimi i ligjit është në interes të të gjithëve në Kosovë.”

 

SHKARKO APP