Opozita e Kosovës i jep ultimatum qeverisë
Në tubimin e tyre më të madh anti-qeveritar deri më tani, partitë opozitare të Kosovës i thanë administratës së Isa Mustafës të japë dorëheqjen përpara 27 shkurtit ose do të përballen me protesta të “pandalshme”.
Nga Ervin Qafmolla, BIRN
Dhjetëra mijëra protestues mbushën Sheshin Skënderbej në Prishtinë të mërkurën, në ditën e pavarësisë së Kosovës, duke kërkuar që dy marrëveshjet kontraversale me Serbinë dhe Malin e Zi të anulohen dhe qeveria të japë dorëheqjen.
Kjo ishte i vetmi tubim plotësisht paqësor i opozitës mbajtur në kryeqytetin e Kosovës që nga vjeshta 2015, pasi të gjitha protestat e tjera të opozitës kanë përshkallëzuar në dhunë në një pikë gjatë tubimit ose pas tij.
Gjatë protestës, liderët e opozitës dhanë një ultimatum te qeveria e kryeministrit Isa Mustafa që të japë dorëheqjen përpara 27 shkurtit, duke paralajmëruar se nëse nuk largohet, protestat e ardhshme do të bëhen të “pandalshme”.
“Numri i qytetarëve në protestën e sotme është një referendum i qartë kundër qeverisë që duhet të largohet sa më shpejtë të jetë e mundur për t’i hapur rrugë demokracisë dhe drejtësisë në Kosovë, tha për BIRN Visar Ymeri, kryetar i Vetëvendosjes.
Që nga vjeshta 2015, tre partitë opozitare Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma kanë lançuar një seri protestash, kanë ndërprerë punimet në parlament dhe kanë shkaktuar trazira në rrugët e Prishtinës.
Që atëherë, punimet e parlamentit zor se janë mbajtur normalisht pa u ndërprerë nga gazi lotsjellës prej deputetëve të opozitës në asamble.
Partitë opozitare kanë paralajmëruar se ata nuk do të heqin dorë nga këto taktika derisa marrëveshjet e qeverisë me Serbinë dhe Maqedoninë të anulohen dhe qeveria të japë dorëheqjen.