Opozita në Kosovë nuk merr pjesë në seancën e fillimit

Grupi Parlamentar i lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe Vetëvendosje kanë vendosur që të mos marrin pjesë në seancën e orës 09:00, shkruan Gazeta Express.

Lidhja Demokratike e Kosovës do ta bojkotojë seancën e thirrur me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj ku do të shqyrtohet propozim-vendimi i Qeverisë për emërimin e Ekipit Negociator për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka bërë me dije, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti. “Ne nuk marrim pjesë sepse mendojmë se kjo është një përpjekje e kryeministrit dhe Qeverisë për ta prishur seancën e orës 10:00. Ne Nuk do të lejojmë që askush të luajë me territorin e Kosovës. Ne do të marrim pjesë në seancën e orës 10:00”, ka thënë Hoti pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK’së.

Ndryshe, seanca është thirrur të fillojë në ora 09:00, kurse një tjetër seancë pasuese, po ashtu e jashtëzakonshme, është thirrur nga opozita, në përpjekje të miratimit të një resolute kundër bisedimeve që kanë për qëllim ndryshimin e kufirit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet të martën në një seancë të jashtëzakonshme në lidhje me, siç thuhet, “angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”. Iniciuese e kësaj seance është Lidhja Demokratike e Kosovës, e mbështetur edhe nga grupet tjera politike në opozitë

SHKARKO APP