Opozita padit Thaçin president në Kushtetuese
Partitë opozitare të Kosovës kontestojnë mënyrën e zgjedhjes së Presidentit Hashim Thaçi, duke e dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
Tri partitë opozitare pretendojnë se seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit është shoqëruar me disa shkelje proceduriale, si dhe materiale që kërkon të vërtetohen nga Kushtetuesja. Një prej tyre, sipas opozitës, konsiderohet edhe përjashtimi e nxjerrja jashtë me forcë e deputetëve opozitarë nga seanca e datës 26 shkurt.
Nga ana tjetër, një javë pas zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, Kryesia e Kuvendit ka vendosur për seancën e re plenare, të cilën përfaqësuesja e opozitës në Kryesi tha se do ta bllokojnë.
“E deklarova qëndrimin e opozitës. Jemi kundër mbajtjes së seancës në këto rrethana”, tha Aida Dërguti, nënkryetare e Kuvendit nga VV.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha pas mbledhjes së Kryesisë se, më 10 mars do të mbajnë seancë plenare, e cila do të jetë në dobi të qytetarëve.
“Gjatë mbledhjes së Kryesisë, kolegia e nderuar e opozitës paralajmëroi se do ta bllokojnë seancën. Më lejoni të theksoj se, vet mbajtja e seancës dhe emergjenca, në të cilën jemi duke e mbajtur atë, ka të bëjë me diçka që është qenësore për qytetarët tanë, liberalizimin e vizave. Mesazhi ynë është që duhet komunikim e bashkëpunim”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Kryesia e Kuvendit planifikon që seanca e 10 marsit të pasohet nga një e dytë, pak ditë më vonë, në të cilën duhet të merren vendime të tjera për liberalizimin e vizave.