Opozita përgatit protestën

Liderët e tri subjekteve opozitare në Kosovë kanë shpalosur detaje të skenarit të protestës që e kanë thirrur të shtunën. Tre liderët opozitarë thanë se protestat nuk do të ndalojnë derisa ta detyrojnë qeverinë të japë dorëheqje.

Sipas planit opozitar, protestuesit do të grumbullohen së pari tek Biblioteka Kombëtare, duke marshuar nga aty drejt ndërtesës së qeverisë. Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, tha: “Ftojmë qytetarët e Kosovës nesër, të gjithë pa dallim, të bashkohemi në Prishtinë, në fillim tek Biblioteka Kombëtare. Të protestojmë nesër për anulimin e marrëveshjeve të dëmshme edhe të kërkojmë llogari prej atyre që e kanë shkelur Kushtetutën. Të kërkojmë dorëheqjen prej atyre që kanë shkelur Kushtetutën”.

Ndërsa Visar Ymeri, kryetar i VV-së, theksoi: “Thaçi dhe Mustafa do të detyrohen të japin dorëheqje nëse ata këtë nuk e bëjnë vetë. Kjo do të bëhet me protesta dhe demonstrata gjithë popullore, natyrisht derisa ata do të obligohen që ta bëjnë një gjë të tillë”.

“Nëse ata nuk janë të gatshëm si qeveri me dhënë llogari për shkelje të Kushtetutës, refuzojnë me dhënë llogari, atëherë edhe ne si qytetarë duhet të refuzojmë që të na qeverisin shkelësit e Kushtetutës”, deklaroi Fatmir Limaj, kryetar i NISMA.

Përveç opozitës, plan operativ për protestën e së shtunës ka publikuar edhe Policia e Kosovës. Përmes një komunikate për media, policia ka njoftuar se ka shtuar kapacitetet për të shtunën, për të ofruar siguri dhe rend gjatë dhe pas protestës së opozitës.

Policia thotë se do të ndërmarrë masa të nevojshme policore ndaj veprimeve të mundshme kundërligjore dhe do të luftojë të gjitha dukuritë negative që mund të shkaktojnë destabilitet.

Policia apelon tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët do të kujdesen për rend dhe siguri publike. TCH

SHKARKO APP