Organizata e Bashkëpunimit Islamik përkrah anëtarësimin e Kosovës në UNESCO
Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, është duke qëndruar në një vizitë njëditore pune në selinë e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Jeddah të Arabisë Saudite. I shoqëruar nga Ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Rexhep Boja, zëvendësministri Selimi ka pasur takim pune me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, shkëlqesinë e tij Iyad Ameen Madani, si dhe me ekipin e ekspertëve të OBI-së.
Zëvendësministri Selimi ka njoftuar shkëlqesinë e tij Madani për ecurinë e lobimit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe për hapat që kanë mbetur deri në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv dhe konferencës së UNESCO-s, ku pritet të votohet për Kosovën. Dyzetë e katër shtete kanë bashkë-sponsoruar kërkesën e Kosovës për t’u futur në agjendën e Komitetit Ekzekutiv, përfshirë edhe shumë anëtarë të OBI-t.
Sekretari i Përgjithshëm i organizatës më të madhe që tubon shtetet islamike në botë, zëvendësministrit Selimi i ka premtuar angazhim të plotë të organizatës për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Bashkëbiseduesit po ashtu janë pajtuar që në ditët e ardhshme Ministria e Jashtme e Kosovës dhe OBI të punojnë se bashku në informimin e saktë të anëtarëve të OBI-it dhe UNESCO-s për situatën në Kosovë dhe për nevojën e Kosovës që të integrohet në rrjedhat globale të arsimit, shkencës, kulturës dhe trashëgimisë.