Osmani e Hoti shkelin Ligjin për AKI-në, nuk arrijnë konsensus për emërimin e drejtorit të ri

Dy udhëheqësit më të lartë shtetërorë kanë shkelur Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), pasi nuk kanë arritur konsensus për emërimin e drejtorit të ri të kësaj agjencie.

Java e kaluar ishte afati i fundit ligjor, kur ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti do të duhej të emëronin bashkërisht drejtorin e ri të AKI-së.

Bazuar në Ligjin për AKI-në, në nenin 5.3 përcaktohet se “presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me kryeministrin, emërojnë së bashku drejtorin e AKI-së brenda 20 ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.

Ish-drejtorit, Kreshnik Gashi, i ishte kërkuar nga kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, që të lironte pozitën më 17 dhjetor, 2020. Në këtë kërkesë, Hoti ishte mbështetur edhe nga u.d e presidentit, Osmani, por asnjëri nga ta nuk ka komentuar arsyet e kësaj kërkese.

Mospajtime për kandidatët
Para fundit të vitit 2020, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti kishte dërguar në Presidencë emrin e Latif Merovcit, si të nominuarit kryesor. Merovci, i cili në vitin 2015 ishte emëruar zëvendësdrejtor i AKI-së, nuk është përkrahur nga u.d e presidentit, Vjosa Osmani.

Burime brenda qeverisë, thonë se kryeministri ka pasur edhe një emër të dytë.
Në Presidencë thonë se u.d e presidentit “ka bërë propozimin ashtu siç e parashikon ligji dhe Kushtetuta”. Propozimi i Osmanit nuk është i njohur.

“Kryeministri në detyrë e ka refuzuar propozimin e u.d të presidentit përmes një interviste televizive”, tha për Radion Evropa e Lirë, Bekim Kupina, këshilltar i Osmanit.

Sipas tij, kjo çështje do të adresohet “pas zgjedhjeve”. Kryeministri në detyrë, Hoti kishte deklaruar për një televizion lokal se nuk mund të pranojë propozimet e Osmanit për kreun e AKI-së, pasi sipas tij, ata janë njerëz pa “përvojë dhe maturitet” për të udhëhequr me këtë institucion.

Por, në qeveri megjithatë nuk përjashtojnë mundësinë që drejtori i ri i AKI-së të emërohet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që janë caktuar për 14 shkurt.

“Komunikimi po vazhdon, por nuk ka ndonjë zhvillim të ri në këtë drejtim. Nuk përjashtohet mundësia që drejtori i ri i AKI-së të emërohet para zgjedhjeve”, tha për Radion Evropa e Lirë, Antigona Baxhaku, këshilltare e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti.

Siguria kombëtare ‘në rrezik’
Ekspertë të fushës së sigurisë e cilësojnë papërgjegjësi institucionale mungesën e konsensusit për këtë pozitë të ndjeshme shtetërore.

Besa Kabashi-Ramaj, thotë se ky dështim tregon se siguria kombëtare, vazhdon të mos jetë prioritet i klasës politike.

“Ky është test për vendin, pasi dy politikanë që kanë besimin për të udhëhequr me institucionet shtetërore, nuk po arrijnë konsensus që të gjejnë një personalitet kompetent, për të drejtuar AKI-në dhe për të mbajtur nën kontroll sigurinë e vendit”, tha Kabashi-Ramaj për Radion Evropa e Lirë.

Ajo shton se pos Osmanit e Hotit, përgjegjësi kanë edhe e tërë klasa politike, të cilët synojnë ardhjen në pushtet.

“Nëse i shohim edhe platformat politike që i kanë prezantuar, mund të shihet se fokusi është krejt diku tjetër, i orientuar në politika populiste, por në fakt nuk ka qartësi nga partitë politike, se a e kanë kuptuar se sa e rëndësishme është siguria kombëtare dhe ajo njerëzore”, tha Kabashi-Ramaj.

Bedri Elezi, drejtor i Institutit të Kosovës për Studime Ndërkombëtare, konsideron se dështimi për emërimin e drejtorit të ri të AKI-së, mund të prolongohet deri pas formimit të institucioneve, që do të dalin pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Por, sipas tij, kjo vonesë mund të ketë pasoja të rënda për sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Ka shqetësime serioze se partneriteti me miqtë tanë ndërkombëtarë mund të cenohet. Ky institucion (AKI) del se është jokredibil dhe mundësia e rrjedhjes së informacioneve është shumë e madhe, sidomos kur institucioni që merret me sigurinë kombëtare, nuk ka drejtor te emëruar”, tha Elezi.

Ndërrimet e shpeshta në AKI, problem serioz
Vetëm në gjashtë vjetët e fundit, në AKI janë ndërruar tre drejtorë. I vetmi që ka përfunduar një mandat të plotë ka qenë drejtori i parë, Bashkim Smakaj, i cili ishte emëruar në këtë post në shkurt të vitit 2009. Një vit pas riemërimit, më 2015 ai kishte dhënë dorëheqje, duke u zëvendësuar nga Agron Selimaj. Ky i fundit po ashtu kishte dhënë dorëheqje dy vjet më vonë, më 2017.

Në vend të tij, më 2017, u emërua Driton Gashi, të cilit iu kërkua të lironte detyrën vetëm një vit pas marrjes së detyrës, për shkak të skandalit me arrestimin dhe dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Që atëherë, në pozitën e drejtorit të AKI-së ishte emëruar Kreshnik Gashi, të cilit po ashtu iu kërkua largimi nga ky post, në dhjetor të vitit të kaluar.
Ekspertët e çështjeve të sigurisë thonë se ndërrimet e shpeshta të udhëheqësve, e rrezikojnë integritetin e AKI-së.

“Kjo për faktin, se në këtë institucion kemi numër të madh të njerëzve që po ndërrohen dhe të cilët për një kohë të shkurtër qëndrojnë aty. Pra, ata kanë qasje në dokumente konfidenciale, e të cilat edhe mund të jenë ndarë me shërbimet e tjera”, thotë Bedri Elezi.

Ndëkaq, Besa Kabashi-Ramaj thekson domosdoshmërinë që kreu i ri i AKI-së të jetë i përgatitur profesionalisht dhe i paanshëm politikisht.

“Është e frikshme të mendohet se dikush e pranon një pozitë të tillë, nëse nuk ka eksperiencë pasi ka përgjegjësi të jashtëzakonshme mbi veten dhe nëse nuk performon mirë, nuk është që dështon diçka e thjesht, por aspekti i sigurisë kombëtare të vendit, e dikush edhe mund ta humbasë jetën”, tha Ramaj-Kabashi.

Në bazë të ligjit në fuqi, drejtori i AKI-së i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit.

Po sipas këtij ligji, drejtori i AKI-së shërben si këshilltar i presidentit dhe kryeministrit për çështje të inteligjencës që kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës; njofton presidentin dhe kryeministrin për aktivitetet e AKI-së dhe ofron informata për presidentin dhe kryeministrin sa i përket sigurisë./REL/

SHKARKO APP