Osmani: Kushdo që kërcënon SHBA-në, ka kërcënuar Kosovën
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani në ceremoninë e zbarkimit të kontingjentit të FSK-së në misionin e parë paqësor jashtë vendit ka thënë se kushdo që kërcënon Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka kërcënuar edhe Republikën e Kosovës.
Osmani para ushtarëve të FSK-së tha se pa mbështetjen e ushtrisë amerikane misioni do të ishte i pamundur. “Ky mision nuk do të ishte i mundshëm pa mbështetjen e Ushtrisë Amerikane. Prandaj, të nderuar përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këta djem janë edhe djemtë tuaj. Misioni juaj është edhe mision i yni! Është paqja dhe besimi në vlera të përbashkëta që na bëri bashkë dhe ato t’i bëjmë të mundshme”.
Nga ana tjetër, Osmani u shpreh se ushtarët e FSK-së do të jenë kudo dhe kurdo që rrezikohen interesat e vendit por edhe të SHBA-ve dhe aleatëve të tjerë.
”Që të jemi të qartë, kush do që kërcënon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tanë të tjerë ka kërcënuar edhe Republikën e Kosovës. Pra në Kosovën, Amerika e aleatët tjerë gjithnjë do të gjejnë aleatin e tyre më lojal”.