Osmani pas takimit me Escobar: SHBA-të nuk kanë aleat më të madh se Kosova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të kenë aleat më të madh sesa Kosova. Deklarata erdhi pas takimit me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Gabriel Escobar, njëherësh edhe emisar për Ballkanin Perëndimor.

Osmani theksoi se ka marrë mbështetje nga ana e SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike.

“Sa më shumë angazhim nga SHBA-ja, aq më të mira rezultatet në paqe dhe stabilitet në rajon. Për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme mbështetja e rrugës euro-atlantike e Kosovës nga SHBA. SHBA nuk kanë aleat më të madh se shteti i Kosovës..

Sot diskutuam nevojën për të ecur përpara në dialog. Kosova është pala konstruktive dhe është e gatshme ta rrisë edhe më shumë angazhimin dhe gatishmërinë e saj në mënyrë që të intensifikohet procesi i dialogut.

Shfrytëzova rastin për ta shprehur pakënaqësinë e mos-nënshkrimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë dhe udhëheqjen nga strukturat kriminale të serbëve të Kosovës nga të sanksionuarit e SHBA-së”, deklaroi presidentja e Kosovës.

Ajo shtoi se edhe vetë presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken, kanë kërkuar që një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të ketë në qendër njohjen reciproke.

 

SHKARKO APP