Osmani pas takimit me senatorët amerikanë: Të mbrohet kufiri me Serbinë
Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar që të rriten garancitë për sigurinë e Kosovës dhe të mbrohet kufiri me Serbinë. Në një konferencë për media pas takimit me senatorët amerikanë, ajo ka theksuar se Kosova do të vzhdojë ta kërkojë drejtësinë për rreshterin e rënë në detyrë, Afrim Bunjaku.
Osmani ka shtuar se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për të parandaluar veprime të ngjashme me atë të 24 shtatorit në Banjskë.
“Natyrshëm që takimi ynë u përqendrua në zhvillimet e fundit në vend, në veçanti në aktin terrorist ndaj Kosovës të sponsorizuar dhe mbështetur nga Serbia. Synimet e tilla dashakeqe nuk mjaftohen vetëm me Kosovën por janë paralajmërim që Serbia ka për qëllim të destabilizoj tërë rajonin. Gjëja më e rëndësishme në këtë moment është që Serbia të mbahet përgjegjëse, t’i dorëzojë terroristët si dhe të rriten garancat e sigurisë në raport me Kosovën që të mbrohet kufiri Kosovë-Serbi nga sulmet e tilla në të ardhmen”, ka thënë Osmani.