Osmani: Populli në Bosnje dhe ai në Kosovë, viktima të regjimit gjenocidal serb
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me Rezolutën e miratuar për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë, Kosova zyrtarizoi qëndrimin e institucioneve dhe popullit të saj. Osmani ka pohuar se duhet të ketë drejtësi për të gjitha krimet e regjimit të Millosheviçit.
“Me këtë rezolutë Kuvendi e zyrtarizoi qëndrimin e institucioneve dhe të popullit të Kosovës karshi gjenocidit serb ndaj qytetarëve boshnjakë të Srebrenicës. Për më tepër, nëpërmjet kësaj Rezolute, dënohet mohimi i qëllimshëm e publik i krimit të gjenocidit”.
Po ashtu presidentja pohon se “duke thënë të vërtetën, ne ndihmojmë në shërimin e plagëve të thella të luftës. E krimet e kryera nga regjimi i atëhershëm serb duhet të quhen me emrin e tyre të vërtetë: gjenocid”.
Ndryshe, me 89 vota pro, Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot Rezolutën që dënon gjenocidin e regjimit serb në Srebrenicë. Rezoluta përmban gjashtë pika, ku pika numër një thotë se “dënohet ashpër gjenocidin e regjimit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut”.