Osmani: Tony Blair ka qenë dhe mbetet hero, së bashku me NATO-n na shpëtuan nga shfarosja

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair tashmë ka arritur në ambientet e Presidencës së Kosovës, ku është pritur nga presidentja Vjosa Osmani.

Pas takimit pritet të ketë deklarim për media.

Ish-kryeministri britanik më pas do të ketë takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Ndërkaq me fillim nga ora 10:25 do t’u drejtohet deputetëve të Kuvendit në një seancë solemne.
Blair do të nderohet sot edhe me çmimin e Çelësit të Qytetit nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Kjo vizitë e Tony Blair ka një rëndësi të veçantë për Kosovën, pasi ai ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të vendit gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 dhe vazhdon të jetë një figurë e rëndësishme në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ish-kryeministrin britanik Tony Blair.

Pas takimit, dyshja kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, transmeton Telegrafi.

Presidentja në konferencën për media tha se janë të nderuar që Kosova ka një mik si Tony Blair, dhe populli e vlerëson dhe e çmon për kontributin e dhënë për lirinë e vendit.

“ 25 vite më pas, ne ju themi faleminderit që përkundër sfidave ju keni orientuar kompasin e historisë në anën e mbrojtjes së vlerave që kanë përcaktuar kapitujt më të lavdishme të historisë njerëzore. Ju falënderoj përzemërsisht që jeni këtu, në mënyrë që ta shihni dhe ju mirënjohjen e qytetarëve që kanë për ju. Në vitin 1999 roli juaj ishte vendimtar, sikurse atëherë që ishit hero, edhe sot jeni heroi i paqes për vendimin e drejt të asaj kohe dhe gjithë kësaj kohe që keni mbështetur Kosovën”, tha presidentja.

Tutje ,ajo pohoi se vendimi për bombardimet e NATO-s ka qenë i drejtë, pasi në pyetje ishte ekzistenca e një populli.

“Më forcat aleate të NATO-s ju na shpëtuat nga shfarosja. Kosova sot është një trashëgimitë tua…Shumë fëmijë të asaj kohe mbajnë emrin tuaj, ata janë dëshmi që sa shumë gjurmë keni lënë te ne”, u shpreh mes tjerash ajo.

Presidentja mes tjerash tha se ish kryeministri Tony Blair ka qenë hero dhe mbetet hero, pasi vendimi që ka marrë ka qenë i drejtë.

Ish-kryeministri britanik Tony Blair pas përfundimit të takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka deklaruar se është rikthimi i tij në Kosovë është moment i emocioneve të thella.

“Dua ti nderoj njerëzit e Kosovës për guximin dhe vendosmërinë e tyre në atë kohë para 25 vitesh dhe vendosmërinë e tyre të palëkundur që t’ia shohin të mirën çlirimit të para 25 viteve. Atëherë isha i bindur se ishte e gjëja e duhur për ta bërë dhe vazhdoj ta kem këtë bindje dhe tani jam i bindur që duhet të rrimë krahë njerëzve të Kosovës në mënyrë që e ardhmja e Kosovës të jetë në linjë me meritat e njerëzve të saj”, ka deklaruar Blair.

“Këtu po ndodhin gjëra pozitive që janë mësim për tërë botën e jo vetëm për popullin e Kosovës dhe pres me padurim ta shoh ditën kur Kosova si komb i pavarur dhe sovran zë vendin e duhur në familjen e kombeve. Dua të shpreh falënderimin dhe solidaritetin me njerëzit e Kosovës që e kam ndjerë atë kohë, e ndjej tani dhe do ta ndjej edhe në të ardhmen”, tha ai.

SHKARKO APP