Osmani takohet me Borrell, diskuton për dialogun dhe liberalizimin e vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të enjte është takuar me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Joseph Borell, me të cilin ka biseduar për raportet Kosovë-BE si dhe për dialogun me Serbinë të lehtësuar nga BE-ja.

“Lidershipi i ri i vendit ka prioritet reformat e nevojshme për ta çuar përpara procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian dhe në NATO. Ne kemi treguar gatishmëri të marrim pjesë në dialog, por në një proces të përgatitur mirë, i cili do të rezultojë me marrëveshje përfundimtare për njohjen e ndërsjellë dhe do ta respektojë sovranitetin dhe integritetin e Kosovës.

Faza e re e dialogut, në të cilën po hyjmë duhet të udhëhiqet nga parimi i trajtimit të barabartë të palëve dhe të sigurojë se do t’i përfshijë çështjet të cilat janë në interes të qytetarëve tanë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ofrimi i informatave për personat e zhdukur me dhunë nga ana e Serbisë duhet të trajtohet shumë seriozisht, edhe për të treguar përkushtimin e shtetit serb ndaj synimeve të dialogut.

Ndër të tjera anë fjalën e saj presidentja theksoi se Serbia nuk ka zbatuar rreth 2/3 e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel. Për më tepër, ajo shtoi se diskutimet për ndryshim territoresh janë të rrezikshme, sepse mund ta destabilizojnë tërë rajonin.

Presidentja ia shprehu edhe një herë tek Borell brengën e qytetarëve të Kosovës për zvarritjen e procesit të liberalizimit të vizave dhe procesin e integrimit të vendit, por edhe të rajonit, në Bashkimin Evropian.

Sipas saj, Kosova ka bërë përparim të dukshëm, duke i plotësuar të gjitha kërkesat e BE-së ndaj nesh, prandaj është momenti që edhe BE-ja t’i mbajë premtimet e dhëna, t’i liberalizojë vizat për qytetarët tanë, si dhe ta përshpejtojë procesin e integrimit të vendeve të rajonit që plotësojnë kriteret në strukturat e BE-së, ngase kështu përforcohet edhe paqja dhe stabiliteti në rajon.

SHKARKO APP