Osmani: Të gjithë “non-papers” që destabilizojnë rajonin kanë vetëm një burim që është Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj dokumentit non-paper, pas të cilit thuhet se qëndrojnë Franca dhe Gjermania dhe që flet për njohjen e sovranitetit territorial të Kosovës dhe Serbisë ndaj njëra-tjetrës dhe krijimin e një “distrikti autonom të Kosovës Veriore”. Osmani thotë se të gjitha dokumentet “non-papers”, që kanë përbrenda ide destabilizuese për rajonin tonë e kanë vetëm një burim: Serbinë.

“Kjo është strategji e vjetër e Serbisë, e përsëritur tani me qëllim që një qasje e tillë të normalizohet e të bëhet pjesë e debatit të përditshëm, e pastaj edhe e agjendës së dialogut, kërkesë kjo e rrezikshme dhe destabilizuese e saj, por dhe e Rusisë. Prandaj, të mos biem në kurthin e tillë. Të kemi besim në aleatët tanë, por mbi të gjitha të kemi besim në vetveten. “Non-papers”, të tillë lëre që refuzohen nga ana jonë, por as nuk do të mund t’i përcaktojnë veprimet tona e as mbarëvajtjen e dialogut”.

“Leximi i kujdesshëm i këtyre “non-papers” dhe idevë që prezantohen aty (siç janë ndryshimi i kufijve, krijimi i regjioneve autonome apo pushteteve të treta) tregon qartë se kush është hartuesi i vërtetë i këtyre dokumenteve”, shkruan më tej Osmani.

“Sot është dita kur kujtojmë më të dashurit tanë fatin e të cilëve ende nuk e dijmë. Përderisa dhimbja jonë për ta vazhdon, përgjigjja rreth fatit të të zhdukurve me dhunë gjendet në Serbi. Asnjë “non-paper”, nuk mund t’i ndryshojë prioritetet e as kërkesat tona të drejta në raport me Serbinë: zbardhja e fatit të të zhdukurve, drejtësia si dhe reparacionet për dëmet e luftës”, përfundon Presidentja.

SHKARKO APP