Pacolli: Eksodi, në favor të propagandës serbe se Kosova është shtet inekzistent

Kreu i AKR-së Behgjet Pacolli thotë se largimi i kosovarëve po ndodh edhe për shkak të bashkëpunimit të mafies së Kosovës me atë të Serbisë. Sipas tij, e gjithë kjo po i ndihmon Serbisë dhe propagandës së saj se Kosova është shtet inekzistent. Lexojeni të plotë postimin e Pacollit në Fb, shkruan Express.

“PO GEZOHET SERBIA
Njerëzit kanë ikur, po ikin dhe do iknin jashtë vendit me këtë qeveri, por dhe me një qeveri tjetër që do krijohej nga opozita. Mungesa e shpresës që rrezatojnë të ikurit në fytyrat e tyre, në vendimin për të marrë tërë familjen me vete, lidhet me Qeverinë, po ashtu dhe me opozitën.

Në fakt, sot as kjo qeveri e as kjo opozitë nuk kanë dëshmuar qe benë apo do të benë diçka të mirë për qytetarin. Qytetarët këtë e kanë kuptuar shumë mirë. Serbia, sigurisht se ka lehtësuar me ikjen e njerëzve tanë. Është një bashkëpunim i mafies së Kosovës, me atë të Serbisë, që ka korruptuar policinë e disa vendeve, por jo vetëm.

Pamjet masive të ikjeve i shërbejnë luftës diplomatike të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës. Me këto ikje, Serbija sot po i kontribuon qëllimit të saj,ta paraqet Kosovën si shtet inekzistent, jo funkcional dhe liberalizimin e vizave ta bënë gjithmonë e më të vështirë.

A nuk ndihet mirë Serbia se mijëra kosovarë, pavarësisht luftës që është bërë për t’u ndarë, po kërkojnë pasaportat e Serbisë? A nuk janë këto pamje masive të ikjes, dëshmia kryesore për propagandën serbe se Kosova është shtet i dështuar, i paqeverisshëm, se Perëndimi ka gabuar që ka mbështetur pavarësinë e Kosovës?”

SHKARKO APP