Pacolli Mustafës: Mos akuzoni BE për dështimet tuaja
Ish-kryetari i Kosovës, president i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka komentuar në profilin e tij në Facebook, një deklaratë të kryeministrit Isa Mustafa. Ky i fundit ka thënë se “do të bojkotojë udhëtimet në Evropë si ‘shenjë proteste’ për mosliberalizimin e vizave”.
Pacolli e ka konsideruar këtë deklaratë si fyese për qytetarët e vendit.
“Kjo deklaratë është fyese për qytetarët e vendit në radhë të parë. Nuk mund të akuzohet BE-ja për dështimet tuaja, kryeministër. Kosova ka nevojë për BE-në më tepër se BE-ja për Kosovën”, ka shkruar Pacolli, transmeton lajmi.net.
Ai më tutje e ka sugjeruar Mustafën që të presë para dyerve të zyrtarëve të BE-së, vetëm e vetëm që qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja e lirë, pa viza.
“Kryeministër, e di se ju jeni inatçor i pakontestueshëm, por ju lutem ta kuptoni se jeni Kryeministër i Kosovës (Kosova ka shumë nevojë për BE-në) e jo vetëm i familjes tuaj. Kur të mos jeni më Kryeministër i Kosovës, atëherë merruni me tekat e inatet tuaja”, ka deklaruar Pacolli.