Pacolli nderohet në Kukës, i jepet titulli “Nderi i Qarkut”
Në 19 vjetorin e eksodit te shiptarëve nga Kosova në Kukës, ministrit të jashtëm dhe zëvendëskryeministrit, Behgjet Pacolli, iu dorëzuan sot nga Qarku i Kukësit dhe qyteti i njohur botërisht për mikpritjen e shqiptarëve nga Kosova, titujt “Qytetar Nderi i Kukësit” dhe “Nderi i Qarkut Kukës”.
“Nderimet jepen për kontributin e mëhershëm të z. Pacolli në mbështetje të luftës çlirimtare, të kampeve të bashkëkombësve larguar nga lufta, si dhe vizionit për zhvleftësimin e kufijve midis shqiptarëve nëpërmjet zhvillimit ekonomik”, bëri të ditur kryetari i bashkisë Kukës Bashkim Shehu gjatë ceremoninë ku ishte e pranishme edhe deputetja Mimi Kodheli.
Sipas një njoftimi të MPJ-së, ministri dhe numri dy i qeverisë së saj, Behgjet Pacolli, do të qëndronte në Kukës, gjatë pjesës së parë të ditës, ku do të marrë dy mirënjohje nga qyteti dhe qarku i Kukës-Has-Tropojë, nominuar në vitin 2000 për çmimin Nobel për Paqen për mikpritjen që i dha bashkëkombësve të vet kosovarë, larguar nga tmerret e luftës.
16 prilli është dita kur ky qyteti i Kukësit dhe qarku në tërësi përkujton eksodin e kosovarëve 19 vjet më parë, me aktivitete të ndryshëm, ku marrin pjesë qytetarë nga të dy anët e kufirit tashmë të hapur dhe përfaqësues të Institucioneve.
Ministri i Jashtëm Pacolli është dekoruar më herët edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin e lartë “Nder i Kombit”.