Padia kundër Serbisë për gjenocid, Palmer: Kurti dhe Vuçiç të kthehen në dialog
Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tryezën e negociatave dhe t’i zgjidhin çështjet e mbetura përmes bisedimeve, i tha Zërit të Amerikës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Euroazinë, Matthew Palmer.
Lidhur me paralajmërimin e qeverisë së Kosovës se do të paraqesin padi kundër Serbisë për gjenocid, Palmer tha se “ka gjithmonë shumë retorikë të nxehtë” në Ballkanin Perëndimor dhe se “ky është një sfond i gjatë për dialog”.
Ai shtoi se është shumë e rëndësishme që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç të kthehen në tryezën e bisedimeve dhe të dialogojnë për të gjitha këto çështje.
“Është kuptuar mirë se cilat çështje duhet të zgjidhen përmes një procesi dialogu. Ky proces drejtohet mirë dhe me kompetencë nga Miroslav Lajçak, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Është e rëndësishme që të dy palët të kthehen në dialog, t’i diskutojnë çështjet në tryezë, t’i zgjidhin ato dhe të shkojnë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila, në mënyrë optimale, do të bazohej në njohjen reciproke”, theksoi Palmer.
I pyetur se çfarë posaçërisht planifikon të bëjë administrata e SHBA-së për të filluar dialogu, Palmer tha se ai do të punojë në partneritet të ngushtë me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Ai vuri në dukje faktin se ata janë në kontakt të rregullt me liderët politikë në Prishtinë dhe Beograd, për t’i ftuar të dy palët për të biseduar, për të punuar për të mbështetur zbatimin e marrëveshjeve të arritura përmes dialogut dhe për të theksuar vlerën e normalizimit të marrëdhënieve për Kosovën dhe Serbinë në të gjitha nivelet.
“Është një rrugë drejt një të ardhme evropiane që aspirojnë të dy vendet”, tha Palmer.
I pyetur nëse beson se presidenti serb është i sinqertë në synimin e tij që Serbia të integrohet në BE, Palmer tha se ai mendon se Vuçiq është absolutisht serioz në atë qëllim dhe se ai do të dëshironte që Serbia të përparonte në rrugën evropiane.
“Është vizioni i tij për të ardhmen e Serbisë, është vizioni i publikut serb, në një masë më të madhe, dhe kështu e shohin Shtetet e Bashkuara të ardhmen e Serbisë. Ne jemi duke punuar ngushtë me Serbinë si një partner dhe mik për ta ndihmuar në zbatimin e ndryshimeve të nevojshme”, tha Palmer.