Paketë e njehsuar e standardeve të cilësisë së miellit

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Edmond Panariti ka zhvilluar një vizitë në Kosovë, ku është pritur nga homologu i tij Memli Krasniqi. Gjatë këtij takimi, të dy ministrat shprehën vullnetin dhe përkushtimin e palëkundur për forcimin e bashkëpunimit në fushën e bujqësisë midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ata nënvizuan se ky bashkëpunim do të pasohet më nënshkrimin e marrëveshjes në mbledhjen e ardhshme të përbashkët të dy qeverive, e cila do të zhvillohet në Tiranë. Ministrat Panariti dhe Krasniqi theksuan se raportet nëpërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jenë shembulli më i mirë i bashkëpunimit rajonal, për çka nuk ka asnjë dyshim dhe për çka përkushtimi i të dy qeverive është i plotë dhe i dëshmuar tashmë. Marrëveshja midis Shqipërisë dhe Kosovës synon lehtësimin e lëvizjes së prodhimeve bujqësore midis dy vendeve. Një vend të veçantë zë edhe njësimi i standardeve të drithërave dhe miellit, ndërkohë që do të përgatitet njësimi i standardeve edhe për produkte të tjera si qumështi, mjalti, vera, patatja etj. Gjatë konferencës për shtyp, Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave e cilësoi të suksesshëm këtë takim, pasi është arritur që të njehsohen standardet në fushën e shkëmbimit të drithërave dhe të miellit. “Ne kemi tashmë një paketë integrale të përbashkët, e cila pasi mori edhe miratimin paraprak nga prodhuesit e të dyja vendeve do të formalizohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë si një paketë e njehsuar tashmë e standardeve të cilësisë dhe të sigurisë në fushën e shkëmbimit të drithërave dhe të miellit. Kështu që në këtë mënyrë ne heqim përfundimisht të gjitha ato barriera të cilat në mënyrë të panevojshme u bënë pengesë vitin e kaluar në lëvizjen e lirë të drithërave dhe të miellrave”, tha Ministri Panariti.

Konferenca për shtyp

Fjala e Ministrit Krasniqi

Sot kisha kënaqësinë shumë të veçantë që të mirëpres homologun nga Shqipëria, ministrin Panariti. Ishte ky takimi ynë i parë me një homolog, por padyshim është kënaqësi e veçantë që takimi i parë i këtij niveli të bëhet me homologun nga Republika e Shqipërisë. Ishte një pajtim i përbashkët që bashkëpunimi në fushën e bujqësisë, sigurinë e ushqimit dhe në fusha të tjera do të avancohet edhe më tej në të ardhmen, në mënyrë që të kemi një lehtësim të komunikimit, një lehtësim të qarkullimit dhe një ndihmesë edhe për prodhuesit dhe bizneset në fushat që ne mbulojmë. Parimisht, ne, të dy palët mendojmë që raportet nëpërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jenë shembulli më i mirë i bashkëpunimit rajonal, për çka nuk ka asnjë dyshim dhe për çka përkushtimi i të dy qeverive është i plotë dhe i dëshmuar tashmë, edhe në periudhën e kaluar. Ne biseduam edhe për disa hapa konkret, nëpërmjet delegacioneve tona, të cilat do ti ndërmarrim para mbajtjes së mbledhjes së ardhshme të përbashkët të dy qeverive që do të zhvillohet në Tiranë, në mënyrë që veprimet dhe objektiva tona të përbashkëta ti konkretizojmë edhe me dokumente qeveritarë, të cilat më pas do të jenë mjetet më të mira për ti realizuar këto qëllime dhe për të lehtësuar raportet nëpërmjet dy vendeve tona në fushën e bujqësisë, tregëtisë, importit dhe lëvizjes së produkteve bujqësore. Më vjen mirë që kemi një pajtueshmëri për të gjitha çështjet, për prioritetet tona qeveritare dhe ministrore dhe unë shpresoj se deri në vizitën e ardhshme që ne do të bëjmë në Tiranë, do të kemi hapa konkretë për realizimin e këtyre qëllimeve dhe me shpresën se në mbledhjen e dy qeverive do të kemi dokumentet e gatshme për nënshkrim. Në këtë drejtim edhe Agjencioni i Ushqimit dhe i Veterinarisë që drejtohet nga z.Gjinovci, i cili ishte i pranishëm në këtë takim, do të luajë rolin e vetë të rëndësishëm, deri në momentin kur të kalojë edhe formalisht, pas ndryshimit të ligjit të ushqimit, nga zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Bujqësisë si Agjencion.  Gjithsesi mbetemi të përkushtuar si dy qeveri dhe si dy institucione qeveritare, për të arritur dhe për të realizuar këto objektiva të përbashkët dhe për të mundësuar një funksionim shumë efikas, i cili do të evitojë në të ardhmen keqkuptimet e panevojshme, të cilat ndonjëherë na kanë ndodhur të dy palëve, por që për të cilat nuk ka qenë vullneti i asnjërës prej tyre. Faleminderit edhe një herë z. Panariti dhe jemi të sigurt se bashkëpunimi ynë do të jetë shumë më i drejtpërdrejtë dhe shpresojmë edhe më efikas.

 

Fjala e Ministrit Panariti

Të nderuar përfaqësues të medias për mua ka qenë një nder dhe një privilegj i veçantë që të jem këtu si i ftuar nga ministri Krasniqi për të vijuar me bashkëpunimin e suksesshëm në fushën e bujqësisë dhe ushqimit. Më lejoni së pari t’i uroj suksese në misionin e tij fisnik në detyrën e ministrit të Bujqësisë z. Krasniqi. Gjithashtu t’i uroj qeverisë Mustafa në misionin e saj për drejtimin e Kosovës dhe në çuarjen përpara të proceseve integruese të vendit në Bashkimin Evropian. Siç e theksoi ministri Krasniqi ne diskutuam me përgjegjshmëri dhe seriozitet çuarjen përpara të bashkëpunimit të suksesshëm të dy qeverive tona në fushën e bujqësisë dhe u përqendruam veçanërisht në lehtësimin e lëvizjes së lirë të mallrave bujqësore në të dyja anët e kufirit. Sigurisht duke rimarrë edhe një herë dialogun që unë pata rastin edhe para disa muajsh të zhvilloja edhe me autoritetet e veterinarisë dhe të ushqimit dhe të qeverisë së Kosovës për heqjen e pengesave institucionale dhe pengesave të tjerë të karakterit fiskal dhe doganor për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave. Ja ku jemi këtu për të ndarë me ju disa arritje. Së pari ne arritëm që të njehsojmë standardet në fushën e shkëmbimit të drithërave dhe të miellit. Ne kemi tashmë një paketë integrale të përbashkët, e cila pasi mori edhe miratimin paraprak nga prodhuesit e të dyja vendeve do të formalizohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë si një paketë e njehsuar tashmë e standardeve të cilësisë dhe të sigurisë në fushën e shkëmbimit të drithërave dhe të miellit. Kështu që në këtë mënyrë ne heqim përfundimisht të gjitha ato barriera të cilat në mënyrë të panevojshme u bënë pengesë vitin e kaluar në lëvizjen e lirë të drithërave dhe të miellrave. Po sot unë pata rastin që t’i paraqes ministrit Krasniqi dhe propozimet tona për njehsimin e standardeve edhe për artikuj të tjerë ushqimorë duke filluar nga qumështi, verërat, mjafti, vaji etj. Presim që pala kosovare të japim opinionin e tyre në mënyrë që së shpejti të dalim edhe me një paketë të përbashkët të standardeve të sigurisë dhe cilësisë edhe për këto produkte. Kështu bëjmë edhe një hap tjetër të vendosur për unifikimin e standardeve. Nga ana tjetër me z. Krasniqi ramë paraprakisht dakord që ne të njehsojmë edhe dokumentet bashkëshoqëruese të mallrave të artikujve bujqësorë. Pra që dokumentet të jenë unike dhe të njohura reciprokisht nga të dy autoritetet tona. Kjo do të bëjë të mundur kalimin pa asnjë lloj pengese të mallrave me dokumentet përkatëse. Pra, ne po materializojmë atë ambicie të përbashkët të dy qeverive tona për të krijuar platformën unike kombëtare të ushqimit, me standarde të njehsuara, me procedura të njehsuara, si një hap vendimtar dhe i rëndësishëm drejt ambicies që dy vendet tona kanë për të integruar sistemet dhe standardet e tyre me ato të Bashkimit Evropian.  Dhe ky është një hap shumë domethënës dhe mund të konsiderohet edhe një sukses i takimit të sotëm, që do të formalizohet edhe në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive, që do të mbahet në Tiranë. Nga ana tjetër, diskutuam me z. Krasniqi edhe për çështjen e rajonalizimit të produkteve bujqësore. Të dy vendet tona duhet të punojnë për krijimin e një tregu të përbashkët, një hapësire të përbashkët ekonomike. Madje, më lejoni të shtoj, që unë këtë e konsideroj bashkimin e vërtetë të shqiptarëve, bashkimin ekonomik. Dy shtetet tona, në respekt të sovranitetit ndaj njëri-tjetrit, krijojnë një hapësirë, një treg të përbashkët, ku gjithsecili, mbi bazën e avantazheve të tij konkurruese dhe krahasuese, gjen vendin e tij në këtë treg të përbashkët. Kosova ka avantazhe, sigurisht të kondicionuara edhe nga klima dhe nga toka në disa kultura bujqësore, siç mund të jenë patatet dhe disa lloje të tjera perimesh në periudha të caktuara të vitit, dhe padyshim tregu shqiptar është i hapur për këto prodhime, ashtu sikurse Kosova është e hapur për produktet shqiptare, siç janë agrumet, ulliri, disa lloje perimesh të freskëta të stinës. Dhe në këtë mënyrë, të gjithë operatorët ekonomikë të gjejnë vendin e tyre në këtë treg, duke e bërë shumë më efektiv shkëmbimin e produkteve, rritjen e të ardhurave, rritjen e punësimit dhe rritjen e mirëqenies. Nga ana tjetër, ky është edhe një mekanizëm më i mirë për të krijuar hapësira gjithmonë e më tepër shqiptare për produktet që ne konsumojmë si konsumatorë. Dhe bëhet fjalë tashmë jo për 3 milion konsumatorë të Shqipërisë apo për 2 milion konsumatorë të Kosovës, por për 5 milion konsumatorë shqiptarë, të cilëve iu vihet bujarisht përpara ofertë shqiptare. Natyrisht duke respektuar të gjitha rregullat e tregtisë së lirë. Ne jemi brenda të drejtës sonë për të inkurajuar prodhimin shqiptar dhe për të orientuar konsumatorët por edhe gjithë prodhuesit që të prodhojnë, konsumojnë, tregtojnë shqip. Dhe ky është një slogan i përbashkët i dy qeverive tona.

 

Pyetjet nga gazetarët:

Nëse flasim për kufirin që ka ekzistuar prej vitesh e dekadash midis dy vendeve, tashmë që rrugët e bashkëpunimit ekonomik janë hapur, një vit pas mbledhjes historike të dy qeverive dhe kur na ndajnë vetëm pak javë para mbledhjes së radhës që do të zhvillohet në Tiranë, si do të vijojë të jetë ky bashkëpunim?

Edmond Panariti: Më lejoni të theksoj se ai është një kufi administrativ, por për mua është një kufi virtual në kuptimin e hapësirës tregtare dhe shkëmbimit të lirë të mallrave dhe të shërbimeve. Dhe duke u nisur edhe nga avantazhi që krijon infrastruktura e re, ne kemi një autostradë që tashmë lidh dy vendet tona. Ky është një avantazh jashtëzakonisht i madh që ne akoma nuk po e shfrytëzojmë me potencial të plotë dhe sfida jonë e ardhshme, madje unë e diskutova edhe me ministrin Krasniqi, është që ne të zhdukim njëherë e përgjithmonë ato radhë të automjeteve që ende për fat të keq i shikojmë në pikën tonë doganore. Aty duhet të shikojmë rrjedhje pa pengesa të lëvizjes së njerëzve, të mallrave dhe shërbimeve. Sigurisht edhe në mbledhjen e ardhshme të qeverisë ne do ta adresojmë këtë problem. Ajo që na takon ne si ministra është që ne bëmë hapin e parë, solid dhe të qëndrueshëm për heqjen e pengesave administrative për lëvizjen e produkteve, të cilat tashmë i nënshtrohen mekanizmit të konkurrencës së lirë. Por, nga ana tjetër për të krijuar hapësirën e duhur për të gjithë operatorëve, prodhuesve e agropërpunuesve në hapësirën që unë e quaj panshqiptare. Është hapësirë që nuk i takon as Shqipërisë, as Kosovës, por i takon gjithë popullit shqiptar.

Memli Krasniqi:Pajtohem plotësisht me përgjigjen e z. Panariti. Ai është një kufi administrativ, i cili nuk mund të krahasohet me atë për të cilin keni shkruar para 20 viteve. Sot është një pikë e cila nuk i ndan, por i lidh Kosovën me Shqipërinë. Është një pikë e cila është mundësia më e mirë e shqiptarëve për lëvizjen e njerëzve, të mallrave e të shërbimeve. Është ajo pika, e cila edhe përmes infrastrukturës jashtëzakonisht moderne ka mundësuar një qarkullim shumë më të lehtë, shumë më të shpeshtë mes kombit shqiptar. Nëse z. Panariti i janë dashur 2 orë e gjysmë që të vijë në Prishtinë, në shumë zona në Shqipëri nevojitet 3 orë a më tepër për të mbërritur në to. Kjo i ka afruar shqiptarët dhe vendet tona. U ka ofruar një mundësi shumë të madhe ekonomike gjë që ka qenë qëllimi i qeverive të ndryshme, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Padyshim, që pajtohemi me faktin që kjo mundësi duhet të shfrytëzohet edhe më shumë, edhe më mirë. Veprimet konkrete për të cilat folëm edhe sot, e që do të implementohen edhe në të ardhmen e afërt do të mundësojnë një përdorim shumë më të mirë dhe efikas në funksion të zhvillimit ekonomik edhe më të madh të dy vendeve tona. Është në interesin tonë të përbashkët që tregu për prodhuesit, për përpunuesit e tregtarët e dy vendeve tona të jetë më i madh, së paku 5 milion. Nëse ne arrijmë këto qëllime fisnike, padyshim që jo vetëm do të jemi shembulli i bashkëpunimit rajonal, por do të jemi edhe më të fuqishëm për ta rritur këtë 5 milionësh në të ardhmen, në mënyrë edhe sektori privat, edhe fermerët si përfitues direkt, por edhe qytetarët tanë të jenë përfituesit më të mëdhenj të këtyre mundësive.

Kur priten të nënshkruhen këto marrëveshje?

Memli Krasniqi: Në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive që do të mbahet në Tiranë, pas asaj të mbajtur në Prizren, të jemi të gatshëm për t’i nënshkruar këto marrëveshje. Disa nga ato marrëveshje që u përmendën ka një pajtueshmëri. Për standardet e produkteve të ndryshme do të kemi diskutim me të gjitha palët e interesit, edhe me prodhuesit, edhe me bizneset përkatëse në mënyrë që të kemi një pajtueshmëri sa më të gjerë, për të krijuar një mundësi shumë më të mirë për të eliminuar barrierat që në të kaluarën kanë shkaktuar probleme. Qëllimi ynë i përbashkët është mbledhja e ardhshme e dy qeverive.

 

SHKARKO APP