Palmat e “Rilindjes së re”

Fejton nga Hyskë Borobojka

Fasadomania dhe llustromania janë bërë modë, në palcën e qyteteve kryesore të vendit tonë gjatë periudhës së qeverisë të “Rilindjes së Re”. Ato i kapërcyen portat e kryeqytetit dhe morën rrugën edhe të autostradës Tiranë-Durrës. Për ta zbukuruar e llustruar sa më mirë autostradën e “çliruan” nga kanalet kulluese, që tërhiqnin ujërat e pritat që i ndalon ato të mos mbytej. U prenë pemët rreth e rrotull saj, ku qëndronin zogjtë e përhapnin këngët e tyre. Sistemin e zbukurimin e saj, sa më mirë e më bukur, e mori përsipër vetë kryetari i “Rilindjes së Re”, kryeministri ynë. Veç zbukurimeve të tjera , solli nga Afrika palma e ekualipte, me trupa të gjatë e të thatë, e xhufka në majë në formën e një trekëndëshi barabrinjës. Thonë se në degët e tyre nuk qëndrojnë dot jo zogjtë këngëtarë, por as galat e gallofët.

Sa euro apo dollarë u shpenzuan për blerjen e transportin nga atdheu i tyre në Tiranë për të “zbukuruar” autostradën, këto shpenzime i ka regjistruar në statistikat e tij ministri i  Financave nga kontributet e taksapaguesve. Palmat u mbollën përgjatë autostradës, që mori një pamje të re e të bukur të paparë ndonjëherë. Drurët e mbjellë rrinin drejtë qëndrim gatitu, si ushtarët në paradë. Të gjithë ata që kalonin në këtë autostradë, në këmbë apo kaluar në makina, u mbeteshin sytë e mentë se s’kishin parë ndonjëherë bukuri kaq të rrallë në vendin e tyre. Prandaj uronin kryetarin e “Rilindjes së Re”, t’i bëhej dita njëmijë, që u dha mundësinë të shinin e të gëzoheshin me këto pemë të ralla, që s’i kishin parë kurrë në vendin e tyre.

Erdhi vera e nxehtë e shtrëngoi vapa. Të gjorat palma u zhuritën për një pikë ujë, gati t’i linin shëndetin kësaj bote. Po u thahej trupi e po u mbetej si kujtim vetëm maja. Temperatura rritej dhe e nxehta shtërngonte. Ato të gjora u lodhën e u këputën së dërguari lutje e mesazhe sjellësit nga atdheu i tyre në Shqipëri, të urdhëronte vartësit e tij t’i vadisnin e tu shërbenin si duhej për lulëzimin e zbukurimin e tyre, por si duket ishte i ngarkuar me projekte e reforma të mëdha dhe s’kishte kohë të merrej edhe me palmat e autostradës. Ndërsa ata që duhet të kujdeseshin për to, nuk e kishin lexuar librin e botanikës, se bimët e pemët po s’u vaditën thahen.

Të gjorat palma, kur e panë se i harruan, as u shërbyen e as i vaditën, drejtuan kryet drejt qiellit e iu lutën Zotit të madh dhe të plotfuqishëm: “O At i madh shpëtona nga vapa se pa na merr shpirtin e po vdesim në këmbë. Ruajna e shpëtona nga ata që na morën nga atdheu ynë të njoma e na lanë në estradën Tiranë-Durrës të thahemi. Lëshona një pikë sh?!” Dhe Zoti i madh dhe i plotfuqishëm e dëgjoi lutjen e tyre. Urdhëroi retë t’i shtrudhnin brekët e të mos mbanin asnjë rezervë uji. Retë e zbatuan urdhërin e të madhit Zot menjëherë.

E derdhë shiun rrebesh, jo me kanaç të vogla, por me gjyma të mëdhenj, aq sa autostrada, që kishte mbetur pa kanalizime, prita e mbrojtje, u kthye nga rrugë tokësore në rrugë ujore, në një lumë të madh, sa s’mund të kalohej as me biçikletat e Bashkive të Tiranës e Durrësit, as me motorçikletat e policisë, as me makinat luksoze të deputetëve e qeveritarëve, as me kamionët e mëdhenj të ushtrisë, por vetëm me gomonet e mëdha e të vogla të trafikantëve. Por, ç’e do! Për palmat e varfra ishte tepër vonë. Ato i kishin lënë uratën kryetarit të qeverisë. Sikur ato virane të kishin gojë, përpara se t’u delte shpirti do t’i thoshin kryetarit të “Rilindjes së Re”: “Mos u hidhëro o i gëzuari. Taksapaguesit nuk i kursejnë paratë për të blerë e sjellë të tjera, ashtu si nuk i kanë kursyer për fasada e llustromani”!?

SHKARKO APP