Palmer: Të hiqen vizat për Kosovën, bisedime me Shkupin e Tiranën
Bashkëpunimi dhe raportet e mira ndërfqinjësore është tema e konferencës dyditore ndërkombëtare “Prespa Forum”, që ka nisur të enjten në Ohër, organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut.
Në këtë forum po marrin pjesë përfaqësues të lartë shtetërorë nga Ballkani, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, ndërsa tema e konferencës është “Ballkani Perëndimor: pjesa që i mungon Evropës që të jetë e plotë”.
Në fjalimin e tij, zëvendësi i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, ka shprehur dëshpërimin që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk arritën të nisin negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, gjë që, sipas tij, mund të ketë rritur skepticizmin, por edhe mund të minojë rolin e SHBA-së dhe Evropës në sigurinë dhe integrimin e rajonit.
“Ne jemi të zhgënjyer që çështja e hapjes së konferencave të para ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk është zgjidhur, pavarësisht angazhimit të fortë dhe zgjidhjeve të arsyeshme të presidencës portugeze dhe partnerëve të fortë evropianë. Nëse SHBA-ja dhe BE-ja nuk tregojnë përkushtim ndaj rajonit, kjo çon në rritjen e skepticizmit në vetë rajonin dhe mundësinë që konkurrentët gjeopolitikë të minojnë në mënyrë agresive kredibilitetin e SHBA-së dhe BE-së dhe vetë rajoni të dyshojë në përcaktimin për integrimin evropian”, deklaroi diplomati amerikan, duke theksuar më tej edhe çështjen e liberalizimit të viziave për Kosovën – premtim ky që, sipas tij, duhej të mbahej nga ana e Bashkimit Evropian.
“Është jetike që BE-ja të mbështesë rajonin dhe të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Jemi të zhgënjyer nga vendimi për të mos nisur negociatat, sepse këto shtyrje kanë penguar përparimin e synimeve tona në rajon, jo vetëm normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por më shumë se kaq”, ka deklaruar Palmer, duke theksuar se “për të realizuar potencialin e plotë të këtij rajoni, liderët duhet të bëjnë më tepër se premtime, “duhet të marrin masa dhe të zgjidhin çështjet politike brenda dhe jashtë vendit, të fuqizojnë demokracitë multietnike dhe sistemet e drejtësisë dhe të lëvizin drejt së ardhmes”.
Palmer tha se “udhëheqësit në rajon duhet të marrin një qëndrim të vendosur për të ardhmen e tyre evropiane” dhe se “Shtetet e Bashkuara besojnë se përpjekjet e rajonit për të krijuar një treg të përbashkët rajonal, janë hapa normalë në rrugën drejt anëtarësimit në BE”.
Ai tha se “vizioni i Shteteve të Bashkuara në rajon ka qenë dhe do të mbetet i përqendruar në paqe me veten dhe fqinjët e tij, për një rajon që është i qëndrueshëm, i begatë dhe i integruar në kornizën euro-atlantike”.
Palmer theksoi edhe nevojën për reforma në ekonomi dhe luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar. “Përveç ekonomisë, qytetarët në rajon janë më të shqetësuar për korrupsionin. Lufta kundër korrupsionit paraqet bazë për ruajtjen dhe forcimin e demokracisë”, ka deklaruar Palmer.
Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, na fjalimin e tij ka thënë se integrimi evropian mbetet qëllimi kryesor i vendeve të rajonit, ndërsa edhe një herë e vlerësoi si të mirë propozimin e presidencës së deritanishme të BE-së, Portugalisë, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, që pamundësoi hapjen e negociatave me BE-në.
Osmani tha se propozimi hiqte veton bullgare me atë që dy vendet do të riafirmonin qëndrimet e tyre për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin, por që nuk do të pengonte mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
“Ballkani është ishull në vetë BE-në dhe nuk ka asnjë mundësi ekonomike, politike, kultuore apo çfarëdo arsyeje për të kërkuar mundësi të tjera. Por, çështja është se si t’i bindim të gjitha shtetet anëtare, se është në interesin e tyre që të mos ketë rezistencë në zemrën e Evropës. Çdo gjë tjetër mund të shkaktojë probleme. Ne jemi pjesë e trupit evropian dhe i takojmë Evropës”, ka deklaruar Osmani.
Kosova, në ditën e parë të konferencës është përfaqësuar nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ndërsa në ditën e dytë do të marrë pjesë kryeministri Albin Kurti, sipas organizatorëve të forumit “Prespa Dialog”./REL