Paralajmërimi i Hotit: Kosova mund të përfshihet nga vala e dytë e Covid-19
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se Kosova mund të përfshihet nga vala e dytë e infektimeve me Covid-19.
Kjo sipas kreut të qeverisë mund të ndodhë pas rritjes së numrit të rasteve me COVID-19 ditëve të fundit.
“Në bazë të trendit të ditëve të fundit me raste të reja të infektimeve, ky rrezik është shumë real. Mund të preken edhe më shumë jetë njerëzish, do të thellohet kriza ekonomike, ndërsa do të stërngarkohet sistemi i shëndetësisë”, ka shkruar kryeministri Hoti në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që të kenë parasysh masat obligative për mbrojtje nga COVID-19, sëmundja që e shkakton koronavirusi.
Kryeministri Hoti ka thënë se lehtësimi i masave për lëvizje të lirë ka qenë i domosdoshëm, por ka kërkuar që të zbatohen me përpikëri masat mbrojtëse.