Partitë kërkojnë që Presidenti të zgjidhet nga populli
Partitë politike në Kosovë, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, po kërkojnë që Presidenti në të ardhmen të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët. Megjithëse s’po gjejnë pajtueshmëri që kreu i shtetit të zgjidhet në këtë legjislaturë, LDK, PDK dhe AAK dakordohen që në kuadër të reformës zgjedhore të bëhen edhe ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. E gjithë kjo për t’iu shmangur, siç thonë krizave politike që vazhdimisht po sjell zgjedhja e të parit të vendit. Por me këto vlerësime nuk pajtohen në partinë e Albin Kurtit dhe nga shoqëria civile.
Deputeti i LDK-së, njëherësh kryetar i komisionit për legjislacion, Shkëmb Manaj thotë për KosovaPress se mos konsensusi për presidentin po sjell kriza të vazhdueshme në vend. Sipas tij, partitë politike duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët që presidenti i vendit në të ardhmen të burojë drejtpërdrejt nga vota e qytetarëve.
“Urgjentisht të gjitha subjektet politike që janë të përfaqësuara në Kuvend duhet të ulen dhe të mendojnë seriozisht për reformën zgjedhore dhe Kushtetuese. Përfshinë e plotësim-ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, por edhe ligjet për zgjedhje të përgjithshme dhe lokale. Unë mendoj që është mirë të shikohet se në kuadër të reformës zgjedhore që të bëjë vendi ynë, presidenti i Republikës të zgjedhet drejtpërdrejt nga qytetarët e Kosovës sepse edhe kompetencat çfarë i ka si unifikues, do të ishte mirë të burojë drejtpërdrejte nga populli i Kosovës dhe pastaj të mos kemi probleme. Ju po e shihni se nëse nuk po arrijmë të zgjedhim presidentin e Republikës kjo po afekton edhe në qeverisje dhe rrjedhimisht te shpërndarja e Kuvendit”, thotë ai.
Me një qëndrim të tillë pajtohet edhe deputetja e PDK-së, Evgjeni Thaçi-Dragusha, e cila thotë se zgjedhja e presidentit nga qytetarët tashmë është kërkesë e kohës.
“Mendoj që është një kërkesë e kohës që të mendohet që presidenti, ose presidentja të zgjidhet direkt nga qytetarët e Kosovës. Pozita e presidentit duhet të shërbejë ashtu siç është në Kushtetutë si pozitë unifikuese dhe jo bllokuese. Në këtë moment kemi një rast të tillë kur vet zgjedhja e presidentit po shërben si bllokim për institucionet e Kosovës, por edhe jetën normale në Kosovë. Kemi pasur iniciativa në të kaluarën që kanë mbet aty, mirëpo mendoj që reforma zgjedhore duhet të fillojë në të ardhmen e afërt dhe aty të shikohet mundësia qe presidenti të zgjedhet nga qytetarët e Kosovës”, u shpreh ajo.