Partitë që fshihen pas lojës me Serbinë
Nga Veton Surroi
Çdoherë që përmendet Serbia si pengesë për veprimet e pushtetit, duhet përmendur testi PISA: ku qe ndërhyrja malinje e saj?
Qytetarët që mund të ballafaqohen së shpejti me fushatën zgjedhore, mund ta ruajnë shëndetin mendor dhe njëkohësisht të mos zhyten në hapësirën e rezervuar për demagogji, nëse ndërpresin së dëgjuari në momentin kur të dëgjohen fjalët “taksa 100 për qind” apo “dialogu me Serbinë”. Gjatë njëzet vjetëve “Serbia” ka shërbyer si mburoja që do të fshehë të gjitha dëmet që i kanë bërë shtetit të Kosovës vetë elitat politike në pushtet. Çfarëdo që të jetë shtruar si problem social dhe ekonomik-shëndetësia, arsimi, kultura-përgjigjja themelore do të gjendej diku mes “Serbia na ka lënë kështu” dhe “Serbia po e pengon shtetndërtimin”. Në fushatën e ardhshme ka shumë gjasa që të zhvillohet një garë se kush do të jetë më i zëshëm në pozicionin që do mbajtur me Serbinë. Një paralajmërim të kësaj gare – aspektin e saj komik – e pamë kur u vendos taksa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe pas përkrahjes së madhe popullore filluan të dalin figurat e koalicionit qeverisës të partive të ndryshme (përfshirë dhe njërin prej drejtuesve të PDK-së, Hashim Thaçi) për të marrë merita personale apo partiake për këtë vendim. Këto skena (dhe skema) mund të përsëriten në fushatë, duke e vendosur Serbinë si një pano e madhe reklame, që do të tërheqë vëmendjen nga problemet e funksionimit të shtetit.
Konceptualisht do refuzuar tema parazgjedhore “Serbi” për dy arsye madhore.
E para është se, me përjashtim të Lëvizjes Vetëvendosje, të gjitha partitë kanë përkrahur Marrëveshjen e Brukselit dhe madje e kanë shndërruar me dy të tretat e votave të dhëna në Kuvend në obligim ligjor (vendor e ndërkombëtar). Kjo është e njëjta marrëveshje, e cila u nënshkrua pasi Hashim Thaçi hodhi poshtë mendimin pozitiv të GJND-së për pavarësinë e Kosovës dhe adoptoi qëndrimin e ndërmjetësuesve të Brukselit se statusi i Kosovës ka mbetur i papërfunduar.
Lëvizja Vetëvendosje mund të thotë se meqë nuk ka votuar pro, ka të drejtë si parti e vetme që të shpalosë diçka për temën “Serbi”, por kjo nuk mund ta shpjerë më gjatë se kaq, ngase tema “Serbi” nuk është çështje me të cilën do të merren vetëm partitë që do të formojnë qeverinë e ardhshme. Përgjigjja e vetme adekuate për këtë temë është se nevojitet konsensusi në Kuvendin e Kosovës, qoftë gjatë procesit të negociatave me Serbinë, qoftë në procesin e vendimmarrjes, qoftë në procesin e implementimit. Nuk ekziston asnjë subjekt politik, sado i madh dhe i fuqishëm, që do të mundë të bartë vetëm procesin e negociatave me Serbinë dhe rrjedhimisht nuk ka pse t’i shpjegojë elektoratit se “nëse ai vjen në pushtet, do të bëjë x apo y në raport me Serbinë”.
Arsyeja e dytë madhore është se testi PISA, mungesa e sigurimeve shëndetësore, hajnia industriale (jo vetëm e votave) dhe çdo gjë tjetër që shkon mbrapsht në pjesën më të madhe të vendit – aty ku sundojnë me shumicë shqiptarët – nuk ka të bëjë gjë me Serbinë dhe veprimin e saj malinj. Pra, në momentin kur një përfaqësues i një partie thotë se do ta bëjë këtë apo atë veprim kundër Serbisë, ai në masë të madhe është duke e fshehur hapësirën e debatit për analfabetizmin funksional të të rinjve kosovarë, nivelin e ulët të kujdesit shëndetësor, ndotjen enorme të ambientit dhe mungesën e plotë të shpresës që i shtynë të mendojnë se si më shpejt të ikin prej vendit. Andaj çdoherë që dikush do të flasë për temën “Serbi”, është mirë t’i shtrohen pyetjet:
Çfarë janë masat që propozoni që fëmija kosovar të ketë aftësi të njëjta leximi si fëmijët e tjerë evropianë?
Kur do të vendoset standardi i sigurimeve sociale e shëndetësore si në shtetet e tjera evropiane?
Si do ta zgjidhni problemin e financimit të veteranëve të luftës, përfshirë edhe ata dhjetëra mijëra të rrejshëm?
Çfarë është politika ekonomike që do të krijojë vende të punës dhe sa vende do të krijohen?
Ekziston edhe një kartë rezervë në fushën e demagogjisë. Nëse partive u kufizohet hapësira për temën “Serbi”, do të mund të nxjerrin atë tjetrën, temën “Evropë”, si në integrime dhe si në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, diçka që në qeveritë e kaluara shërbeu pos për punësimin e anëtarëve të PDK-së, edhe për shpallje rituale se mu në atë moment do të ketë liberalizim të vizave apo se për shkak të faktorëve të jashtëm (zgjedhjeve evropiane, të zgjedhurve profashistë apo antifashistë, zgjedhjeve kosovare, votës për këtë apo atë çështje në Kuvendin e Kosovës) do të mundë të pengohet liberalizimi i vizave.
Në fakt, integrim evropian nuk ka. Dhe nuk do të jetë temë.
Integrim evropian nuk ka sepse Kosova, edhe po të ishte shtet model e jo i kapur prej elitës së saj të kriminalizuar, nuk njihet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së.
Integrim evropian nuk ka, sepse shumica e vendeve anëtare të BE-së nuk duan zgjerim të BE-së pa dakorduar një reformë të funksionimit të vetë BE-së.
Integrim evropian nuk ka sepse 80 për qind e kosovarëve të rinj (përqindja më e lartë kudo në Evropë) në anketën e RÇ konfirmojnë se duan një vend pune në sektorin publik. Kjo tregon për një shoqëri, sistemi ekonomik dhe politik i së cilës gjeneron ambicie vegjetimi, diçka që nuk ka ekzistuar as në socializëm e që nuk ekziston as në shtetet më etatiste si Bjellorusia.
Andaj, kur dikush do të dalë të flasë për integrim evropian, pyetja që duhet t’i bëhet: a e ka fjalën për qindra e mijëra të rinj që presin momentin kur do të integrohen në BE me këmbët e tyre, duke shkelur në shtetet e BE-së? Sepse tjetër integrim, në këtë gjendje, nuk ka.
Testi themelor për qytetarët, natyrisht gjendet në pyetjen se a po ofrohet një qeveri e re apo një qeverisje e re?
Dallimi është thelbësor, aq thelbësor sa të japë përgjigje a do të vazhdojë të jetë Kosova shtet i kapur apo do të shkojë drejt çlirimit të vet?