Pas 23 viteve, ende kullat e Jasharëve në gjendje të rëndë

Në shënimin e 23 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “dora” e shtetit po mungon në ruajtjen dhe konservimin e kullave të Jasharëve që të mos shemben. 23 vjet nga beteja dhe sakrifica e lavdishme e komandantit legjendar Adem Jashari, qytetarët shprehën të mllefosur me institucionet për neglizhencën që i kanë bërë kullave të Jasharëve, kurse përgjegjësit nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale nuk pranuan të flasin.

Faruk Rexha, i cili ka ardhur nga Komuna e Vitisë për të nderuar familjen Jashari thotë për KosovaPress se gjendja e mjerueshme e kullave është për shkak të neglizhencës së institucioneve. “Institucionet është dashur të merren me këtë. Fatkeqësisht nuk kanë punuar mjaftueshëm deri tani. Është dashur të punohet më shumë sidomos në monumentet historike që duhet të riparohen, është për brezat e ardhshme. Pasi gjendja është e mjerueshme krejt faji është tek institucionet”, thotë ai.

Më kritikë ndaj institucioneve shprehët, Selman Sylejmani, i cili thotë se këtë gjendje të mjerueshme të kullave nuk mund ta sheh askund. “Këtu shteti ka neglizhuar çdo gjë. Ky vend është dashur të bëhet në lule, por gjithsesi është mjerim me pa në këtë gjendje këto kulla. Këtë vend, këtu veç syri mundet me pa, se ma gjendje të mjerueshme nuk mund të sheh as në Afrikë”, deklaron ai.

Konservimi i kullave të Jasharëve është planifikuar të niste në vitin 2019 përmes një vendimi qeveritar. Ndërsa në vitin 2018 kishte miratuar Ligjin për Kompleksin Adem Jashari.

SHKARKO APP