Pas Kuvendit, ministrat e Listës Serbe bojkotojnë mbledhjen e Qeverisë së Kosovës

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës është mbajtur edhe sot pa praninë e ministrave të Listës Serbe, që janë partnerë të koalicionit qeverisës.

Megjithëse, pati shumë pika të rendit të ditës për të cilat u votua nga ministrat, aty mungoi vota e zëvendësministrit dhe ministrit të Pushtetit Lokal, Goran Rakiç dhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq.

Mungesa e Listës Serbe është vërejtur përveç në mbledhjet e fundit të Qeverisë, edhe në seancat e Kuvendit të Kosovës.

I pyetur gjatë një konference për medie në lidhje me një shantazh të mundshëm nga Lista Serbe, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti kishte paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim do të adresojë disa çështje sa i përket Listës Serbe, teksa tha se Qeveria mund të bjerë, por nuk mund të shantazhohet.

Hoti kishte deklaruar më 4 dhjetor se gjatë ditëve të ardhshme do të adresojnë disa çështje me Listën Serbe, por megjithëse kanë kaluar më shumë se dy javë ende nuk duket se është ndërmarrë diçka.

“Kemi disa çështje që besoj se në ditët e ardhshme duhet t’i adresojmë me Listën Serbe. Fakti që jemi në këtë pikë, do të thotë që Qeveria mund të bie por nuk mund të shantazhohet. Më vjen mirë që një pjesë e opozitës kanë marrë parasysh kërkesat tona të vazhdueshëm. Qysh në muajt e verës kur ka shkuar në lexim të parë në Kuvend, kam kërkuar nga deputetët të japin mendimet e tyre, si nga opozita si nga pozita të japin mendimin në mënyrë që ato t’i akomodojmë në Ligjin për rimëkëmbje Ekonomike”, tha Hoti.

SHKARKO APP