Pas Mustafës dorëhiqet kryesia e LDK-së. Ujërat u trazuan pas humbjes së thellë në zgjedhje

E gjithë kryesia e partisë Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraqitur dorëheqjen në bllok. Ekspress shkruan se vendimi është marrë pasi kryetari i kësaj partie, Isa Mustafa, dha dorëheqjen, mesditën e sotme, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Sinjalet i dha nënkryetari Lutfi Haziri, i cili, kur u pyet nëse do të jetë ai personi që do ta zëvendësojë Mustafën tha: Nuk ka të bëjë me emra. Kryetari e tha, ne jemi kryesi në dorëheqje! Tashmë dorëheqjet janë dorëzuar, por çfarë pritet të ndodhë me partinë? Sipas Ekspress, LDK-ja do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda pak ditësh.

Statuti i Lidhjes Demokratike të Kosovës për dorëheqjen e kryetarit, në nenin 27 thotë se kryetari i këtij subjekti mund të japë dorëheqje pa i skaduar mandati. Neni 27 në statutin e LDK-së thotë se në rast se kryetari i LDK-së shkarkohet apo jep dorëheqje, atëherë saktësohet se brenda 60 ditësh duhet të thirret Kuvendi i LDK-së. Neni 25 në statutin e LDK-së e saktëson se kryetari i këtij subjekti votohet në Kuvend të LDK-së me votim të fshehtë. Kandidimi për kryetar bëhet në Kuvend. Secila kandidaturë duhet të miratohet me 50 përqind plus 1 të delegatëve të pranishëm.

Në rast se Kuvendi nuk aprovon më shumë se një kandidaturë, atëherë Kuvendi vendos për mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit për Kryetarin. Kryetari i LDK-së njëkohësisht është kryetar i Kuvendit, i Këshillit të Përgjithshëm dhe i Kryesisë së LDK-së.

Mustafa është zgjedhur në krye të Lidhjes Demokratike në vitin 2010-të, në kohën që mbante postin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, por humbja e thellë e LDK në zgjedhjet e 14 shkurtit ka trazuar ujërat në strukturat brenda partisë. Deri më tani, LDK-ja renditet në vendin e tretë me 102 mijë e 959 vota apo 13,08%. Ndërsa, LVV-ja kryeson me 376 mijë e 933 vota, apo 47,88% të votuesve. Më pas renditet PDK-ja me 136 mijë e 681 vota apo 17,36% të tyre.

SHKARKO APP