Pas takimit me Presidenten për datën e zgjedhjeve, Kurti: Të mbahen sa më shpejt

Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka humbur kohë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e qeverisë Hoti, ku ka nisur edhe takimet me krerët e partive në Kosovë. I pari që mbërriti në Presidencë ishte kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Në një prononcim për mediat, Kurti ka thënë se nuk ka folur për një datë konkrete me Osmanin, por kërkon që ato të zhvillohen sa më parë.

”Si kryetar i LVV-së, ju përgjigja pozitivisht ftesës së u.d të presidentit Vjsoa Osamni për një këshillim paraprak lidhur me zgjedhjet e reja të parakohshme të cilat janë përvec se të domosdoshme edhe të pashmangshme pas njoftimit me dispozitiv të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ne shprehëm interesim si subjekt politik që zgjedhjet e ardhshme të parakohshme të kemi një datë që në harkun kohor të mundshëm të jetë sa më të hershme. Na duhen që të marrim aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe varet nga data kur na vjen ai aktgjykim si palë që jemi në këtë çështje që tashmë është zgjidhur, por nuk e ka edhe përgjigjen e plotë që të jetë aktgjykim i plotfuqishëm dhe pas kësaj mund të shpallet data e zgjedhjeve nga ushtruesja e detyrës së Presidentes në një hark të caktuar kohor, si e parasheh Kushtetuta. Data sa më herët e mundshme, jemi të interesuar që të mbahen zgjedhjet e reja e të parakohshme meqë kemi humbur shumë kohë dhe na nevojitet që të ecim sa më shpejtë që duke u kthyer tek populli si burim i legjitimitetit. Së pari ne nuk kemi folur për një datë konkrete, kemi shprehur interesim tonë që në harkun kohor të mundshëm të jetë sa më e hershme data, sa më afërt e diela e zgjedhjeve të ardhshme që varet nga dita kur neve na vjen aktgjykimi”, ka thënë ai.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e qeverisë Hoti nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Kjo pasi qeveria e 3 qershorit u votua nga deputeti Ethem Arifi, i cili me 20 gusht të vitit të kaluar kishte një dënim të formës së prerë nga gjykata.  Në vendim thuhet se asnjë person që është i dënuar për ndonjë vepër penale në formë të prerë në tre vjetët e fundit nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandatin e vlefshëm në Kuvendin e Kosovës./tvklan.al

SHKARKO APP