Edi Rama në Kosovë pas një fjalimi në OKB dhe trupave ushtarake serbe në kufi

Edi Rama ditën e hënë do jetë në Kosovë në një vizitë zyrtare. Vizita e kryeministrit vjen pas një fjalimi të zjarrtë pro Kosovës në OKB dhe kur forcat ushtarake serbe janë në kufi me shtetin kosovar.

Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Sesioni i 76-të, ku bëri thirrje për njohjen e Kosovës. Nesër, ditë e hënë (27 shtator), kryeministri Edi Rama do të pritet nga homologu Albin Kurti.

Vizita e tij në Prishtinë vjen kur situata mes Kosovës dhe Serbisë është mjaft e tensionuar dhe të dyja palët kanë vendosur forca ushtarake në kufi.

Sot Ministria e Jashtme e vendit tonë i ka bërë thirrje Serbisë të tërheqë trupat e armatosura që të mos nxitet dhunë dhe trazira në veri të Kosovës.

Fjala e kryeministrit Rama në OKB për Kosovën:

“Megjithatë, kjo Asamble e madhe nuk do të jetë e plotë pa një prej shteteve të rajonit tonë, Republikën e Kosovës. Më keni dëgjuar më shumë se njëherë këtu të bëj thirrje për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Nuk është opsesion, por ftesë për të njohur realitetet e reja në zemër të Evropës, në Ballkanin Perëndimor ku një shtet i ri lindi me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo punë duhet të përfundohet. Dua ta theksoj, ta përsëris thirrjen, sepse realiteti na ka treguar neve, kosovarëve, serbëve, të gjithë ballkanasve, se një Kosovë e pavarur, e sovrane, është një realitet që vazhdon prej 13 vitesh dhe ka sjellë shumë paqe në rajon, ka kontribuar që të shkëputemi nga e shkuara e hidhur.

Është pjesë e së ardhmes së përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria mbështet si alternativë të vetme dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si e vetmja mundësi për të sjellë njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve. E them me bindje absolute, vetëm maturia, kurajoja dhe vizioni do ta lejojë më në fund Serbinë të heqë barrën e së shkuarës”, tha kryeministri Rama.

SHKARKO APP