‘Pavarësi dhe autonomi institucionale’ – reagon BE-ja pas dorëheqjes së Ahmetxhekajt nga pozita e drejtorit të RTK-së

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szunyog, ka reaguar pas dorëheqjes së Shkumbin Ahmetxhkajt nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës.

Szunyog, me anë të një postimi në platformën ‘X’, ka thënë se pret që RTK-ja të gëzojë autonomi dhe pavarësi institucionale.

“Lexova lajmin për dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmet Gjekaj. Kësisoj, dua të theksoj rëndësinë e transmetuesit publik që gëzon autonomi institucionale dhe pavarësi institucionale”, deklaroi ai.

“Gjithashtu dua t’i shpreh mirënjohjen Shkumbin Ahmetxhekajt për përpjekjet e tij në përmirësimin financiar të menaxhmentit të RTK-së”, shtoi tutje Szunyog.

Shefi i Zyres së BE’së në Kosovë ka thënë se ky institucion pret që emërimi i drejtorit të ri të bëhet përmes një procesi meritor.

Ahmetxhekaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se vendimi për dorëheqje ka ardhur si rezultat i një persioni politik, dhe se nuk është akt dorëzimi i tij.

“Ky akt nuk është dorëzim dhe nuk reflekton vullnetin personal për të mos vazhduar me drejtimin e RTK-së, por është kulmim i një presioni politik 7 mujor që rezultoi me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik”, ka shkruar Ahmetxhekaj.

Ai tutje ka shtuar se në këtë kontekst, qëndrimi i mëtutjeshëm në këtë pozitë kur ka mosbesim, mungesë të mbështetjes për procesin e reformës së RTK-së dhe Strategjinë Zhvillimore 2024-2027, është i pakuptimtë dhe do të sillte vetëm bllokadë e stagnim për transmetuesin publik.

SHKARKO APP