PDK zbulon kushtin që i kanë vënë Isa Mustafës për presidentin
Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra, ka folur për çështjen e presidentit.
Deliu-Kodra ka thënë se PDK-ja bëhet pjesë e diskutimeve për presidentin me partitë e tjera, vetëm nëse merret në konsideratë emri i propozuar nga ta për këtë pozitë.
“Çështja e presidentit është njëra prej çështjeve më të diskutuara ditëve të fundit. Për ne është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë institucionet e saj e veçanërisht një pozicion kaq të rëndësishëm kushtetues siç është pozicioni i presidentit”.
“E në kohën kur Kosova ka natyrisht shumë nevojë që të ketë stabilitet të saj të brendshëm dhe të ketë forcim të subjektivitetit të saj ndërkombëtar është shumë e rëndësishme që ky institucion ta ketë edhe rolin e tij. Ta kryejë funksionin e tij me pozitën e presidentit. Si Parti Demokratike e Kosovës e kemi thënë sapo jemi ftuar për tu bërë pjesë e këtyre diskutimeve që në momentin që ne ftohemi në këto diskutime presim që të merret në konsideratë emri i presidentit nga radhët e PDK-së”, është shprehur Deliu Kodra.
Deputetja e PDK-së ka thënë po ashtu se nga kjo parti janë të gatshëm për zgjedhje pavarësisht që figura më e rëndësishme e kësaj partie, ish-kryetari Kadri Veseli, ndodhet në Hagë.
“Unë mendoj që iu mbetet forcave politike. Neve nuk na frikësojnë asnjëherë zgjedhjet pavarësisht që si subjekt politik jemi goditur me vendimin e Gjykatës Speciale dhe pavarësisht që figurat tona kryesore lideri ynë zotëri Veseli dhe presidenti Thaçi ndodhen në Hagë si dhe figurat e tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kjo asnjëherë nuk do të na pengojë nga një proces i ri zgjedhor”.
“Nëse nuk mund të gjendet zgjidhje për të rregulluar shumë çështje të cilat po e preokupojnë vendin atëherë natyrisht që ne do të jemi të gatshëm për të hyrë në proces të ri zgjedhor dhe për të marrë një legjitimitet të ri qytetar”, ka thënë Deliu-Kodra për EO.