PE miraton MSA-në për Kosovën
Parlamenti Evropian ka miratuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës, me 486 vota pro, 102 kundër dhe 81 abstenim.
Gjatë debatit në seancën plenare, Kosova siguroi mbështetjen e shumicës dërrmuese të grupeve politike, por marrëveshja u kundërshtua, siç pritej, nga eurodeputetë të ekstremit të djathtë, kryesisht prej vendeve që nuk e njohin ende pavarësinë, si spanjollët e grekët.
Sipas raportueses për Kosovën, Ulrike Lunaçek, “ky është një moment historik, sepse për herë të parë BE dhe Kosova do të kenë marrëdhënie kontraktuale”.
Ndërsa komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn tha se, “vota në Parlament është një njohje e përparimit të Kosovës dhe se vazhdimi i dialogut me Beogradin është detyrim ligjor dhe MSA detyron Kosovën që të respektojë standarde të larta demokratike”. Hahn kërkoi nga faktorët politikë vendas të angazhohen për dialog, në frymën e perspektivës evropiane të Kosovës.
Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi i cilësoi një moment historik miratimin e MSA-së që sipas tij, “është dhe kontrata e parë formale në mes Kosovës dhe BE-së”. “Ky është hapi i parë në rrugën e gjatë që do t’i sjellë fëmijët tonë në gjirin e familjes evropiane. Luftuam për liri, fituam edhe pavarësinë dhe sot fillon edhe periudha e re evropiane e Republikës së Kosovës. Zoti e bekoftë Kosovën evropiane”, shkruan Thaçi në Facebook