Përdhunimi e dhuna në familje, Kuvendi i Kosovës kërkon masa më të rrepta

Ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, reagoi lidhur me dy raste të përdhunimit seksual që u raportuan ditëve të fundit. Ministrja Haxhiu tha përmes një deklarate në Facebook se është e shqetësuar për rastet e raportuara nga qyteti i Mitrovicës.

“U bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që rastet e tilla t’i trajtojnë me seriozitet. Masa e paraburgimit nuk do të duhej të zëvendësohej me masa të lehta ose lirim në procedurë të rregullt, sepse kjo është inkurajim për dhunuesin dhe i motivon ata për përsëritje të veprës penale”, tha Haxhiu.

Sipas saj, dhunimi seksual është vepër penale dhe rastet e tilla duhet të marrin dënimin sipas legjislacionit në fuqi. Institucionet e drejtësisë, gjatë muajve mars dhe prill, kanë raportuar për rritje të shifrave të dhunës në familje, shkruan Rel.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Haxhiu, janë bërë pjesë e një fushate, përmes së cilës u është bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë rastet kur ata janë viktima të dhunës në familje.

Që nga 13 marsi kur është shfaqur rasti i parë me koronavirus në Kosovë, autoritetet kanë vendosur kufizime në lirinë e lëvizjes së qytetarëve, të cilat, sipas institucioneve, kanë pasur ndikim në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.

Më 15 prill, Policia e Kosovës ka njoftuar se në muajin janar janë evidentuar 161 raste të dhunës në familje, në muajin shkurt 151 raste dhe në muajin mars 169 raste.

SHKARKO APP