Përfaqësuesi i ri i BE për dialogun Kosovë-Serbi/ Këshilli i Ambasadorëve: Pritshmëri të larta te përvoja e diplomatit
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka përshëndetur emërimin e Miroslav Lajčák si Përfaqësuesi i ri Special i BE-së, për dialogun Kosovë Serbi.
Nëpërmjet një reagimi, Këshilli i Ambasadorëve thotë se Lajčák do të luaj një rol aktiv në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Këshilli i Ambasadorëve thekson se statusi i Kosovës, si shtet i pavarur, nuk ka më nevojë për diskutime të mëtejshme.
“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se politikat parimore të BE-së, ekspertiza e gjerë e Z. Lajčák dhe përpjekjet e tij pë të adresuar çështjet e pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të lehtësojnë njohjen e ndërsjellë të të dy shteteve të pavarura fqinje – konkretisht Kosovës dhe Serbisë – duke njohur kësisoj dhe realitetet tashmë të mirë-përcaktuara në terren“, thuhet mes të tjerash në reagim.
Reagimi i plotë:
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) përshëndet angazhimin në rritje të BE-së për stabilizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mirëpret emërimin e zotit Miroslav Lajčák, si Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe për Çështje të Tjera të Rajonit të Ballkanit Perendimor.
KASH i uron sukses Zotit Lajčák në misionin e tij të rëndësishëm dhe beson se ai do të promovojë politikat dhe interesat e BE-së në rajon, duke luajtur një rol aktiv në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si dhe përmirësimin e marrëdhënieve të Fqinjësisë së Mirë dhe pajtimin ndërmjet partnerëve në Ballkanin Perendimor.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dëshiron të ripërsërisë se statusi i Kosovës, si shtet i pavarur multietnik, brenda kufijve të tij të njohur ndërkombëtarisht, të përcaktuar në opinionin e Komitetit të Arbitrazhit të Badinterit, të konfirmuar në Paketën Ahtisaari dhe të miratuar nga GJND, nuk ka më nevojë për diskutime të mëtejshme, për arësye se ai i ka shërbyer në mënyrë thelbësore paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe më gjerë.
KASH ushqen pritshmëri të larta se përvoja dhe mençuria e një diplomati veteran do të mbizotërojë mbi çdo qasje që mund të shkaktonte një rreth vicioz krizash dhe do të hapte Kutinë e Pandorës në Ballkanin Perendimor.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson se politikat parimore të BE-së, ekspertiza e gjerë e Z. Lajčák dhe përpjekjet e tij pë të adresuar çështjet e pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të lehtësojnë njohjen e ndërsjellë të të dy shteteve të pavarura fqinje – konkretisht Kosovës dhe Serbisë – duke njohur kësisoj dhe realitetet tashmë të mirë-përcaktuara në terren.