Përfundon protesta, opozita dy javë afat qeverisë për plotësimin e kërkesave

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në përfundim të protestës së opozitës kosovare të zhvilluar të shtunën pasdite në Prishtinë, i la dy javë afat qeverisë për të plotësuar kërkesat e opozitës. “Qeveria e Republikës së Kosovës ka dy javë afat për t’i zbatuar kërkesat e kësaj proteste”, tha lideri Lëvizjes Vetëvendosje. “Kundër kapjes së shtetit” ishte slogani i protestës që organizuan sot në Prishtinë, tre partitë opozitare kosovare. Opozita ka gjithsej 31 deputetë, numër i vogël në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, që është më pak se i cilësdo nga dy partitë e mëdha të koalicionit qeveritar, PDK-së me 35 e LDK-së me 33 deputetë. Para ndërtesës së qeverisë së Kosovës në protestën kundër “kapjes së shtetit” folën liderët e partive opozitare, Fatmir Limaj i Nismës, Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Visar Ymeri i LVV-së.

Opozita kosovare gjatë protestës së sotme zhvilloi disa “aksione simbolike”, të parin para ndërtesës së Gjykatës Kushtetuese, murin e së cilës e kanë ngjyrosur me të zezë dhe kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike para ndërtesës së KEDS-it, ku kanë thyer disa orëmatëse dixhitalë. Ndërsa para ndërtesës së Radio Televizionit të Kosovës, vendosën një altoparlant për të dhënë mesazhin se është shndërruar në altoparlant të pushtetit. Lidhur me mbarëvajtjen e protestës, Policia e Kosovës informoi se ajo u zhvillua e qetë, ndërsa njësitet policore u kujdesën për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

“Plani policor në aspektin e sigurisë u zbatua ashtu siç ishte parashikuar me ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, ruajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, si dhe planifikimet për ri-orientimin e trafikut në rrugë alternative”, thuhet në njoftimin për shtyp të policisë. “Policia e Kosovës vazhdon të njohë të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në protesta e manifestime dhe deri në këto momente nuk është evidentuar asnjë incident”, përfundon njoftimi për shtyp.

Lidhur me protestën e paralajmëruar nga opozita, qeveria kosovare ka dhënë më herët mesazhin se, “të gjitha zgjidhjet do bëhen në institucionet e Kosovës dhe nuk ka arsye të kërkohen në rrugë” dhe se “duhet ta kuptuar nga të gjithë se pushteti fitohet me votë legjitime, popullore, dhe jo me metoda të revolucioneve proletare”.

Në Prishtinë, këtë vit, në 24 janar Policia kosovare ka ndërhyrë me gaz lotësjellës për të shpërndarë grupet që gjuanin me gurë ndërtesën e qeverisë, pas përfundimit të protestës, ndërsa në 27 janar u zhvillua po ashtu me përplasje mes protestuesve e policisë protesta e dytë e opozitës, e cila pasohet sot me të tretën, e paralajmëruar nga organizatorët “paqësore dhe e dinjitetshme”.

SHKARKO APP