Përfundon takimi për qeverinë në Kosovë, Kurti: Ende nuk kam mandat. Thaçi vendos ultimatum: Ke 48 orë afat!

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është takuar sot me presidentin Hashim Thaçi për të diskutuar mbi formimin e qeverisë së re në Kosovë.  Pas takimit duket se mes dy politikanëve nuk ka pasur vendim dhënien e mandatit për krijimin e qeverisë.  Kreu i Vetëvendosjes,  Albin Kurti tha se ishte një takim i shkurtër pa efekte juridike. Ndërsa Presidenti Thaçi deklaroi se VV ka 48 orë afat për caktimin e emrit të kandidatit që do formojë qeverinë.

Sot isha në takim me presidentin e Republikës, ky ishte një takim i shkurtër konstulativ pa efekte juridike, lidhur me fazën e ardhshme konstituive të institucioneve që sot i kanë mbushur tre muaj. Unë dëgjova presidentin në këtë takim disa minutësh që shprehu interesimin për krijimin e qeverisë, por, njëkohësisht edhe tha që e di që ju nevojitet një kohë e caktuar, por, gjithashtu ne do ta bëjmë propozimin”, thotë Kurti.

Ai ka folur edhe për mundësinë e krijimit të koalicionit edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës. “Për mua takim do të kishim qysh dje, jemi në komunikim, kam insistuar për takime sa më të shpejta, uroj që kjo të ndodhë. Deri më datën 26 dhjetor kemi mundur të arsyetohemi në seancën konstituive, qytetarët e Kosovës, duhet që sa më parë të ecin sa më shpejtë, ne po i bëjmë përpjekjet maksimale”, tha Kurti.

Kreu i VV shtoi se në të ardhmen me Thaçin mund të kenë takime politike institucionale. “Takimi ishte pak minuta për shkak se ishte konsultativ. Ndoshta do të ketë takime politike institucionale në të ardhmen”, shtoi Albin Kurti.

Z. Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës. Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”,- shprehet Thaçi.

Më herët, Kruti prezantoi dhe emrat e kandidatëve për ministër të kabinetit të tij dhe kërkoi që edhe Lidhja Demokratike e Kosovës të publikojë emrat e përfaqësuesve të saj për në kabinetin e mundshëm qeveritar. Kurti deklaroi se ka zgjedhur për zëvendëskryeministër të dytë, Haki Abazin. Si ministre të Drejtësisë, Kurti ka njoftuar se kanë zgjedhur Albulena Haxhiun. Ministër i Punëve të Jashtme, Blerim Reka ndërsa, Ministër i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi. Për Ministër të Ekonomisë Kurti ka propozuiar Rozeta Hajdarin. Kurse Arben Vitia është propozuar si Ministër i Shëndetësisë dhe Sportit.

SHKARKO APP