Përgjigjen serbët, xhirojnë filmin rival të “Shok”

Një film i ri, i xhiruar në Kosovë, së fundmi, po pretendon sukses të madh.

Për dallim nga “Shok” që u bë në bashkëpunim të Kosovës me Britaninë e Madhe, “Sporazum”, siç e tregon edhe vetë fjala, është bërë nga serbët.

Ai, siç transmeton Klan Kosova, përfundoi së xhiruari të martën, në fshatin Ceranoviq të komunës së Novobërdës.

Në fakt, i gjithi ky film është bërë në territorin e Kosovës dhe i kushtohet serbëve që më 1999 ishin larguar nga vendi, për t’u kthyer e jetuar në të përsëri.

Skenaristi dhe regjisori, Predrag Radonjiq po pret që ky prodhim të bëjë mrekullinë.

“Duke marrë parasysh kushtet dhe mjetet me të cilat është punuar, mendoj se ky film do të fitojë vëmendje të madhe”, tha ai, përcjellë Klan Kosova.

Roli kryesor për këtë film i është besuar aktorit nga teatri i Nishit, Aleksandar Mihajloviq.

“Të gjithë ata që do të defilojnë nëpër film, e tregojnë një rrëfim të vetin. Dikush më të errët, dikush më të ndritshëm, por në përgjithësi, të gjithë ata janë personazhe të burgosura në tenxheren që quhet Kosovë”, ka thënë ai.

Në produksion, përveç “Srpsko slovo” është përfshirë edhe RTV Kim, drejtori i të cilit, Isak Vorguciq ka thënë se pret një film të shkëlqyeshëm, që do të pranohet shumë mirë.

Pos në Ceranoviq, “Sporazum” (“Marrëveshja” në shqip) është xhiruar edhe në disa lokacione të Gracanicës dhe në Hoçë të Madhe.

SHKARKO APP