Përjashtimi i Kurtit, VV nuk tërhiqet: Do të garojmë me listën e plotë në zgjedhje

Lëvizja Vetëvendosja ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që i ndaloi kandidimin kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosja, kryesuesit të listës, Albin Kurti, si dhe kandidatëve Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Labinotë Demi-Murtezi dhe Bajram Mavriqi.

Përmes një postimi në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook, vendimi i PZAP cilësohet absurd dhe një inkuizicion politik e juridik. Sipas LVV, kjo padrejtësi që synon eliminimin e tyre politik, nuk do ta pengojë Vetëvendosjen të garojnë me listën e plotë në zgjedhjete 14 shkurtit.

”Këto vendime, pra, ai i disa anëtarëve të KQZ dhe ky sot i PZAP-së, janë shpërfaqje e një konjukture që i rri mbi krye institucioneve duke ua zënë frymën demokratike. Por jo edhe për shumë gjatë. Kandidimi i Albin Kurtit dhe i kandidatëve të tjerë nuk do të mund të ndalet, sepse kështu e thotë e drejta, dhe lista e VETËVENDOSJE!-s do të paraqitet e plotë e fitimtare në zgjedhjet e 14 shkurtit sepse kështu po e kërkon populli”, thuhet në reagimin e LVV.

SHKARKO APP