Përlot vajza e Afrim Bunjakut: Askush s’e mbush boshllëkun tënd, do të mbetesh krenaria e shtetit

Në 1-vjetorin e rënies së heroit, Afrim Bunjaku është mbajtur akademi përkujtimore në nderim dhe përkujtim të sakrificës së tij për Kosovën. Rreshterin Bunjaku e kanë kujtuar fëmijët, familja, kolegët dhe përfaqësuesit e institucioneve. Në këtë akademi përkujtimore u tha se rënia e heroit Afrim Bunjaku ishin kthesa që ndryshoi rrethanat në Kosovë. Vajza e heroit, Arbenita Bunjaku tha se amanet për familjen Bunjaku janë përkushtimi dhe dashuria për atdhe.

”Është e vështirë t’i imagjinosh ëndrrat e fëmijës kur i mungon krahu më i fortë që është babai. E vështirë të vazhdohet jeta pa praninë e tij. Por, krenaria e madhe që kemi për babin tonë të patrembur na bënë të vazhdojmë përpara. Duke kujtuar që u bë hero për vendin tonë, ku dashuria dhe përkushtimi për atdheun janë amanet për ne.

Një vit pa ty babi, heroi i Kosovës. Një vit me plot sfida, mungesë që shkon e rritet ku asgjë nuk e përmbush boshllëkun që ke lënë brenda nesh. Të jetosh në zemrat e atyre që le pas do të thotë të mos vdesësh kurrë. Ishe dhe do të mbetesh gjithmonë krenaria e familjes dhe shtetit tonë. Pusho në paqen e amshueshme heroi ynë”,-tha Arbenita.

SHKARKO APP