Përparim Rama merr zyrtarisht detyrën e kryetarit të Prishtinës

Përparim Rama ka marrë sot zyrtarisht detyrën e kreut të Komunës së Prishtinës. Rama ka dhënë betimin para anëtarëve të asamblesë komunale të Prishtinës.

“Unë Përparim Rama betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si kryetar i Prishtinës me nder, besnikëri, në mënyrë të paanshme që të sigurojë kushte për një jetë të qetë për të gjithë”, ka thënë ai.

Rama ka shtuar se sot është ditë e veçantë për qytetarët e Prishtinës, dhe se nga sot zëri i tyre nuk është moto e fushatës, por zotim i tij dhe i ekipit.

“Besimi i qytetarëve më jep përgjegjësi të jashtëzakonshme. Jam i vetëdijshëm që kjo detyrë përtej privilegjit është obligim serioz dhe sfidë e madhe që do t’i vihemi përpara me punë të ndershme, me profesionalizëm dhe me dinjitet”, ka deklaruar Rama.

Rama ka thënë se ndjehet mirënjohës për të gjithë qytetarët e Prishtinës në çdo lagje e fshat.

“Guximi me ja dashtë të mirën vendit tonë, të mos ndalet këtu. Forca e uniteti, sinqeritetit e bashkimit na duhet për të quar përpara këtë qytet”, është shprehur kryetari i ri i Prishtinës, duke shtuar se Prishtina do të jetë vend plot gjallëri e mundësi për të rinjtë.

“Të nderuar asamblistë si kryetar i Prishtinës do të bashkëpunoj me secilin prej jush për të mirën e kryeqytetit. I mirëpres të gjithë pa dallime për të quar përpara projekte që na përmirësojnë jetën e të gjithëve”, ka thënë më tej Rama.

Kryetari i ri i Prishtinës i ka bërë ftesë shoqërisë civile dhe partive politike që t’i bashkëngjiten në qeverisjen e tij për Prishtinën.

Detyra e të parit të Prishtinës u dorëzua nga ish-kryetari i kryeqytetit Shpend Ahmeti, i cili mori pjesë edhe në ceremoninë e betimit të Ramës dhe asamblistëve. Nga 51 asamblistët e zgjedhur, në seancë morën pjesë 48. Munguan Arben Vitia, Daut Haradinaj dhe Rinë Limani.

SHKARKO APP