Përplasja Osmani-Kurti, analistët: Po shkon drejt përshkallëzimit

Ftohja e raporteve mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, për analistët politikë, është duke kaluar në një fazë tjetër, atë të tensioneve dhe drejt përshkallëzimit. Sipas tyre, ka mbi 6 muaj që dy liderët më të rëndësishëm të vendit kanë mospajtime të mëdha në çështje që kanë të bëjnë kryesisht me politikën e jashtme dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë. Pasi edhe Donika Gërvalla, që udhëheq me Listën Guxo, subjekt i themeluar nga Osmani, u rreshtua krah Kurtit, presidentja duket se tashmë ka mbetur vetëm.

“Besoj që ky është vetëm fillimi dhe këto këngë që po përmenden nga udhëheqësit janë vetëm faza e parë e përplasjes që do të vijnë duke u përshkallëzuar gjatë muajve në vijim e do të kulmojnë gjatë së kohës së zgjedhjeve,” shprehet analisti Shkodran Ramadani. “Duke pasur parasysh faktin që presidentja Osmani në mateamtikat e ardhshme zgjedhore praktikisht është e parëndësishme duke ditur që partia e saj është jashtëzakonisht dobët në sondazhe, Lista Guxo, andaj edhe z. Kurti nuk kamë interes të ketë aleanca politike me të dhe sigurisht synon me parti të tjera të ndërtojë aleancat apo koalcionet e ardhshme”.

Vendi mund të pësojë nga një përplasje mes presidentes dhe kryeministrit, sidomos në raport me proceset e rëndësishme dhe karshi partnerëve ndërkombëtarë. “Do të jetë e vështirë kundrejt partnerëve ndërkombëtarë të dilet me një qëndrim koherent, jo vetëm mes pushtetit dhe opozitës, por edhe vetë brenda pushtetarëve nuk ka një harmoni, nuk janë në sinkron i cili do t’i ndihmonte Kosovës të artikulonte saktë dhe drejtë qëndrimin e saj karshi proceseve ndërkombëtare, përkundrazi kemi një kakofoni institucionale”.

“Është e vërtetë që znj. Osmani ka qenë pak më e butë në raport me bashkësinë ndërkombëtare sa i përket raporteve dhe kërkesave që ka pasur bashkësia ndërkombëtare në raport me Kosovën qoftë SHBA apo edhe Unioni Evropian kurse z.Kurti me fajin ose pa fajin e tij ka qenë më stoik në kuptimin nuk i ka dëgjuar ndërkombëtarët, qoftë në raport me Asocacionin qoftë edhe për veprimet e tij në veriun e Kosovës”,-shprehet analisti Arbnor Sadiku. Në përplasjet mes Kurtit dhe Osmanit është përfshirë edhe ministrja e Jashtme, Gërvalla që ka mbrojtur pozicionet e kryeministrit.

SHKARKO APP