Përplasja për rritjen e pagave, Haradinaj pezullon vendimin e tij

Konstatimi i Agjensisë Kosovare Kundërkorrupsion se vendimi i Kryeministrisë për dyfishimin e pagave të qeveritarëve është antikushtetues, ka sjellë dhe reagimin e kryeministrit Ramush Haradinaj. Përmes një postimi në facebook pasi akuzoi vendimin e AKK si të politizuar dhe të pasaktë, Kryeministri i Kosovës deklaroi se ka vendosur të pezullojë përkohësisht vendimin e tij të muajit dhjetor 2017, deri në vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vendosur që të pezullojë përkohësisht vendimin e tij për rritjen e pagave të qeveritarëve, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Përmes një postimi në facebook, Haradinaj e ka quajtur vendimin e Agjencisë Kundër Korruspionit si të politizuar, pasi AKK e ka cilësuar si të jashtëligjshëm vendimin për rritjen e pagave ndaj zyrtarëve të lartë publikë.

Haradinaj: Vendimin e AKK-së, lidhur me nivelin e pagave, e vlerësoj të paqëndrueshem dhe të ndikuar politikisht. Për këtë vendim kemi dorëzuar përgjigje të qartë dhe kjo është e njohur për opinionin. Megjithatë, pas kërkesës së 30 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetueshmërisë së vendimit për nivelizim të pagave, të marrë më 20 dhjetor nga Qeveria e Kosovës, kam vendosur që përkohësisht, deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ta kërkoj pezullimin e këtij vendimi.

Konstatimi se rritja e pagave të zyrtarëve të lartë të qeverisë është antikushtetues ka sjellë përplasje mes Agjensisë Kosovare Kundërkorrupsion me Qeverinë e Kosovës.

AKK ka përcaktuar se zyrtarët e lartë qeveritarë ku përfshihen kryeministri, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat që kanë votuar vendimin e dyfishimit të pagave, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

AKK-ja rekomandon që vendimi të kthehet në rishqyrtim duke shfrytëzuar mënyra të tjera ligjore, të cilat nuk bien ndesh me ligjin.

Në një reagim të menjëhershëm, Zyra ligjore e Qeverisë së Kosovës akuzon Agjencinë e Kundërkorrupsionit për pasaktësi dhe joprofesionalizëm në konstatimin e saj të fundit.

Nga ana tjetër, partitë opozitare, kryesisht përfqësues të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë konsideruar skandaloz vendimin e kryeministrit Haradinaj për ngritjen e pagave dhe konfirmuan se e kanë dërguar këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese.

Në dhjetor të 2017, kryeministri i Kosovës përmes një vendimi dyfishoi pagën për postin e vet, dhe për ministrat e kabinetit të tij.

Paga e kryeministrit që ka qënë ka qenë rreth 1500 euro, me rritjen e fundit ajo do të jetë rreth 2950 euro.

Po ashtu, me vendim të Haradinajt paga e zëvendëskryeministrit do të jetë 2500 euro, ndërsa e ministrave nga 2000 euro.

SHKARKO APP