Përse amerikanët rizgjedhin të njëjtët politikanë në Kongres

Amerikanët kanë një shprehje të njohur: ‘Nëse nuk të pëlqejnë politikanët në pushtet, hiqi që andej!’.

Por në realitet gjërat nuk funksionojnë krejt ashtu. Amerikanët shprehin në anketa pakënaqësi në masë për punën e Kongresit, por çdo dy vjet ata rizgjedhin në masë dërrmuese të njëjtët përfaqësues.

Organizata Gallup zhvilloi më 5-9 tetor një anketë që tregoi se vetëm 18% e amerikanëve e shohin pozitivisht punën e Kongresit. Këto rezultate janë publikuar ndërkohë që amerikanët përgatiten të votojnë për anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 1/3 e Senatit ku pritet të fitojnë në masë dërrmuese politikanët që janë aktualisht në Kongres, megjithëse mund të ndryshojë balanca e forcave dhe demokratët mund të rifitojnë kontrollin e Senatit.

Ndërkaq, grupi jopartiak Cook Political Report, parashikon se vetëm 25 nga 435 vende në Dhomën e Përfaqësuesve mund të jenë vërtetë në pikëpyetje, ndërsa në Senat vetëm 7 nga 34 vende janë në një garë të paparashikueshme.

Sipas këtyre parashikimeve, mbi 90% e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve që garojnë në këto zgjedhje dhe 80 % e senatorëve që garojnë për t’u rizgjedhur, pritet të fitojnë.

Këto parashikime përputhen me prirjet që janë vërejtur gjatë proceseve të mëparshme.

Përqindjet e rizgjedhjes

Në 2014, ritmet e rizgjedhjes së anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve ishin 95%. Në Senat, 82% e anëtarëve u rizgjodhën.

Si shpjegohet ky paradoks që votuesit janë aq të pakënaqur me anëtarët e Kongresit, por vazhdojnë t’i rizgjedhin ata?

Një shpjegim është se megjithë mungesën e besimit që kanë amerikanët tek Kongresi, ata pëlqejnë përfaqësuesit e tyre në Kongres. Kjo pasqyron pjesërisht elektoratin tepër të polarizuar që fajëson anëtarët e tjerë të Kongresit për ato që i konsideron si problem të vendit.

Ndryshimi i kufijve të zonave elektorale

Një tjetër arsye përse anëtarët e Kongresit arrijnë të rizgjidhen për vite me radhë është ndryshimi i kufijve të zonave elektorale, një praktikë që ndiqet nga të dyja partitë me qëllimin për përfitime politike.

Në shumicën e shteteve, procesi i ndryshimit të kufijve elektoralë kontrollohet nga ligjvënësit në nivel shtetëror, të cilët përpiqen që kundërshtarët t’i izolojnë në sa më pak zona elektorale, ndërsa besnikët e tyre t’i organizojnë në një numër sa më të madh zonash.

Sipas një analize të zhvilluar kohët e fundit dhe të publikuar më 26 tetor, si rezultat i ndryshimeve të kufijve elektoralë rreth 33 milionë amerikanë në 47 zona elektorale do të kenë në fletëvotime vetëm një kandidat nga partitë kryesore më 8 nëntor, pra një nga partitë kryesore nuk nxjerr kandidat për të sfiduar politikanin që kërkon të rizgjidhet.

“Votuesve po u mohohet e drejta për të zgjedhur mes disa kandidatëve, si rezultat i ndryshimeve në kufijtë e zonave elektorale. Në shumë nga këto zona zgjedhjet përfunduan pa përfunduar mirë fushata,” thotë Dan Vicuna, ekspert i procesit zgjedhor.

Ndërkaq Christopher Deering i Universitetit George Washington flet për “ndryshime natyrale të kufijve zgjedhorë” që ndodhin kur amerikanët ndryshojnë shtet dhe një zonë dikur republikane mund të shndërrohet në demokrate ose anasjelltas.

Fuqia e konkurrimit nga posti

Kandidatët që konkurrojnë për t’u rizgjedhur në të njëjtin post kanë dy avantazhe: votuesit i njohin me emër, po ashtu këta kandidatë kanë më shumë fonde.

Anëtarët e Kongresit ndiqen më shumë nga media për vetë faktin se kanë një detyrë publike si politikanë të zgjedhur, krahasuar me kandidatin e ri që konkurron për t’i zënë vendin.

Po ashtu, fondet luajnë rol të madh në suksesin e fushatës. Grupet e interesit dhe donatorët kanë prirjen të mbështesin me fonde kandidatin që është në post dhe do të rizgjidhet se sa një kandidat të ri.

Kjo ndodh pasi grupet e interesit preferojnë të mbështesin një kandidat me shanse fitoreje dhe që njihet për politikat që ndjek, se sa një kandidat që nuk është provuar në realitetin politik.

Duke qenë se nuk ka kufizime mbi fondet që mund të shpenzohen në fushatë, realiteti favorizon kandidatin që kërkon rizgjedhjen, i cili sipas statistikave shpenzon tre herë më shumë se kandidati që e sfidon.

Në zgjedhjet e 2014, për shembull, senatorët që konkurronin për t’u rizgjedhur shpenzuan afro 12.5 milionë dollarë krahasuar me 4.5 milionë të shpenzuara nga rivalët e tyre.

Thirrje për reforma

Këto faktorë që pengojnë zgjedhje të mirëfillta për votuesin kanë nxitur thirrjet për reforma elektorale dhe ndryshime në rregulloret për financimin e fushatave.

Në vitet 1980 dhe në fillim të 1990, u bënë thirrje për të kufizuar numrin e mandateve për anëtarët e Kongresit. Këto përpjekje të mbështetura kryesisht nga republikanët, u braktisën kur republikanët morën vetën kontrollin e Kongresit.

Vitet e fundit vëmendja u përqëndrua tek rregullat mbi financimin e fushatave me synimin që fushatat të mos ishin kaq të kushtueshme apo të mos zgjasnin kaq shumë, si dhe u ngrit ideja që komisione të pavarura të merreshin me përcaktimin e kufijve të zonave elektorale. Këto përpjekje nuk arritën ndonjë sukses.-VOA

SHKARKO APP