Pertitsch: Kosova e Serbia të shkëmbejnë disa fshatra

Ish i dërguari special i Bashkimit Europian për Kosovën, Volfgang Pertitsch, propozon korrigjim të pjesshëm të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të dy vendet të ruajnë strukturën multi-etnike të tyre. Në një intervistë për të përditshmen serbe Blic, diplomati austriak e emërton propozimin e tij “korrigjim kozmetik administrativ”.

“Nëse flasim për ndryshim kufijsh, kjo mund të bëhet me korrigjime minimale kozmetike, të cilat do të prekrinin disa fshatra pranë Bujanovcit dhe Mitrovicës Veriore. Besoj se është momenti kulmor për të finalizuar një zgjidhje të përbashkët të pranueshme nga të dyja palët. Në këtë mënyrë Kosova dhe Serbia do të ruajnë karakterin multietnik me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta”.

Petriç propozon që Kosova dhe Serbia të shkëmbejnë vetëm disa fshatra, në mënyrë që rishikimi i kufijve mes tyre të mos shkaktojë efekt negativ domino në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si Bosnjë-Hercegovinë apo Maqedoni.

Presidenti Hashim Thaçi propozoi pak ditë më parë që me korrigjim të kufijve, Kosovës t’i bashkangjiten Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, sipas kërkesës së përfaqësuesve lokale shqiptarë dhe përjashton idenë e copëtimit të territorit. Ndërsa në Beograd është hedhur ideja që krahinat serbe të veriut të Kosovës t’i bashkohen Serbisë.

SHKARKO APP