Pezullohet falja e Namazit në Kosovë, besimtarët në Maqedoninë e Veriut festojnë në xhami

Në Kosovë është pezulluar falja e Fitër Bajramit në xhamitë e vendit për shkak të pandemisë. Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës e quan situatën një realitet të pakëndshëm. Ndërsa në Maqedoninë e Veriut, mijëra besimtarë myslimanë falën namazin e festës së shënuar.

Myslimanët e Kosovës po kremtojnë Fitër Bajramin, festë kjo që vjen pas agjërimit njëmujor të muajit të shenjtë të Ramazanit.

Për shkak të masave kundër pandemisë, falja e Fitër-Bajramit u festua pa ceremoni publike dhe pa faljen e namazit në xhamitë e vendit.

Pas paraqitjes së rasteve të para me koronavirus, Bashkësia Islame e Kosovës më 14 mars pezulloi faljen e organizuara.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i tha qytetarëve se vendimi për heqjen dorë nga organizimet fetare ka qenë jo i lehtë, por u mor në interes të komunitetit.

“Ky realitet paraqet një ndjesi jo të këndshme, megjithatë domosdoshmëri për të mirën tonë dhe për të mirën e shëndetit publik. Edhe pse kemi arsye për festë kur është në pyetje shëndetit publik dhe kur përballemi me rreziqet e përgjithshme, duhet vepruar e punuar përgjegjshëm e ndërgjegjshëm… në këtë ditë feste kërkohet që të kemi kujdesin e duhur për fqinjin tonë në nevojë, për vëllezërit tanë në vështirësi dhe nuk mund të quhet festa e plotë kur fqinji apo vëllau jonë është në vështirësi…“

Në Kosovë aktualisht janë regjistruar mbi 1,030 raste me koronavirus, nga të cilët 785 janë shëruar dhe 29 pacientë kanë humbur jetën.

Duke folur Xhamia e Madhe e “Sulltan Mehmet Fatihut” në Prishtinë, Myftiu Tërnava kërkoi që deri në kthimin e normalitetit, të tregohet kujdes sa të kalojë pandemia vdekjeprurëse.

“Në këtë ditë Bajrami ju ftojë që të keni durim edhe për pak kohë derisa ta kalojmë rrezikun nga virusi Covid-19, ju ftoj që të shmangeni vizitat familjare, miqtë dhe farefisit, vetëm e vetëm me qëllim të ruajtjes së shëndetit tonë.”

Ndërkohë, edhe në xhamitë e Maqedonisë së Veriut mijëra besimtarë myslimanë falën namazin e Fitër Bajramit.

Ceremonia qendrore u mbajt në xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri.

Festa e Fitër Bajramit pason Muajin e Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, besimtarët agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.

SHKARKO APP