Policia e Kosovës: Protestuesit të mos bien pre e provokimeve
Policia e Kosovës u bën thirrje protestuesve që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve.
Në një njoftim për shtyp Policia e Kosovës sqaron se rreth orës 12:45 minuta, pas fjalimeve nxitëse nga ana e organizatorëve, një grup prej disa protestuesve kanë filluar të sulmojnë policët duke hedhur sende të ndryshme, mjete të forta, në drejtim të njësiteve policore, të cilat detyrimisht janë dashur të ndërhyjnë për t’i parandaluar sulmet e tilla, duke përdorur mjetet policore të ligjshme.
Si vazhdimësi e informimit lidhur me protestën dhe mbarëvajtjen e saj, Policia informon se protesta është duke u zhvilluar e qetë, përderisa njësitet policore janë duke u kujdesur për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Policia bën të ditur se plani policor në aspektin e sigurisë po zbatohet siç ishte parashikuar, me ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe rritjen e perimetrit të sigurisë përgjatë objekteve të rëndësisë së veçantë.
Policia e Kosovës vazhdon të njohë të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi dhe nuk ka asnjë qëllim të pengimit të mbajtjes së protestës së paparalajmëruar dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve ashtu siç është deklaruar nga ana e organizatorëve.
Në Prishtinë protestuesit kanë filluar të përplasen me policinë dhe ta gjuajnë atë me mjete të forta, raporton gazeta “Express”. Ndërkohë, Policia e Kosovës po u bën thirrje që të ruajnë rendin. Policia ka përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit. Në anën tjetër, folësit kanë filluar që gjithashtu të kërkojnë heqjen e barrikadave, që policia i ka vendosur rreth ndërtesës së qeverisë. Protestuesit kanë filluar t’i marrin barrikadat me vete.
Mësohet se nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosja , Visar Ymeri, është lënduar gjatë përleshjeve polici-protestues. Ai është dërguar me urgjencë në spital.