“Politika e jashtme duhet të na bashkojë”, Albin Kurti fton Presidentin Thaçi në takim
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën, përmes një letre, ka kërkuar takim me presidentin Hashim Thaçi, për të harmonizuar qëndrimet rreth politikës së jashtme, para konferencës së sigurisë në Mynih të Gjermanisë.
Në letër, Kurti i ka thënë Thaçit se “politika e jashtme është ajo që duhet të na bashkojë”.
” Le ta japim tërë kapacitetin tonë intelektual e patriotik në prezantimet e takimet qe do t’i bëjmë. Ju ftoj për sot ne orën 12:00, 16:00 ose 17:30 apo edhe ne mbrëmje qe te takohemi e te dakordohemi se bashku për temat e për qëndrimet tona”, thuhet mes tjerash në letër.
Kërkesa e Kurtit për takim me Thaçin, vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë intensifikuar thirrjet për vazhdimin e dialogut me Serbinë./REL