Porta e Lartë nuk e njihte fare Kosovën

 

Studimet e tyre të shumta si artikuj, monografi dhe botime dokumentare përfshijnë një periudhë të gjatë kohore nga fillimet e shekullit XV dhe deri në ditët tona. Studimet e tyre të mbështetura thellësisht në burime dokumentare të panjohura për studiuesit shqiptarë dhe të huaj ndriçojnë mjaft çështje të jetës politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe fetare të territoreve shqiptare.

Kohët e fundit, emrave të njohur të historiografisë Turke si, Ahmed Refik, Agah Sirri Levent, Ali Emiri, Abidin Temizer, Ali Birinci, Abdulhamit Kirmizi, Bilal Yurtoglu, Bilgin Celik, Bozbora Nuray, Bulent Bilmez, Ebubekir Sofuoglu, Ihsan Burak Birecikli, Ismail Haki Uzuncarsili, Hakan T. Karatëke, Hale Sivgin, Halil Inalcik, Haluk Harun Duman, Hamiyet Sizer, Nëdim Ipek, Orhan Bayrak, Remzi Demir, Selda Kilic, Sukru Hanioglu, Yildirim Aganoglu, Yuksek Topaloglu etj., kohët e fundit i është shtuar dhe emri i historianes së njohur turke, prof. Mucize Unlu, pedagoge pranë Universitetit “19 Mayis”, Samsun (Turqi). Përpjekja e saj e parë në fushën e studimeve shqiptare, ishte përfundimi me shumë sukses i temës për master me titull Manastir Vilayeti nin Idari ve Social Yapisi: 1873 1912″ (Struktura administrative dhe sociale e Vilajetit të Manastirit: 1873 1912). Po me aq sukses, ajo arriti të përfundonte dhe temën tjetër me titull: “Kosova Vilayeti: 1877 1912” (Vilayeti i Kosovës: 1877 1912) për marrjen e titullit “Doktor”. Përgatitja për botim e këtij studimi, i kërkoi Prof. Mucize Unlu-se të vazhdonte të gjurmonte burime të tjera arkivore dhe bibliografike, derisa ajo botoi në vitin 2014 në një nga shtëpitë botues të Ankarasë me emrin “Gece Kitapligi”, shkruan “BalkanWeb”.

Punimet e studiuesve të ndryshëm, vendas dhe të tjerë të huaj, janë të shumta lidhur me historinë e Kosovës, e cila sot është shteti më i ri dhe i pavarur në Ballkan, me synimin kryesor drejt Bashkimit Evropian. Por, veçoria e këtij botimi është se autorja e lartpërmendur, mbas një pune mjaft të gjatë kërkimore, plot pasion dhe këmbëngulje, në arkivat dhe bibliotekat e Turqisë si dhe shfrytëzimi i një literature mjaft të gjerë i botimeve të studiuesve të tjerë, ka arritur të realizojë një studim, krejtësisht origjinal dhe me kritere thellësisht shkencore. Dhe sot, kur Turqia është në përpjekje për tiu shtuar anëtarësimit të saj në bashkësinë evropiane, ky punim është një model studimi jo vetëm për studiuesit e sotëm turq, shqiptarë dhe të vendeve të tjera, por dhe për studiuesit e ardhshëm nga pikëpamja e kulturës së gjuhës, që autorja ka përdorur në përshkrimin e ngjarjeve dhe në nxjerrjen e përfundimeve, të mbështetura këto vetëm në dokumente dhe duke krahasuar një numër të shumtë mendimesh të autorëve të ndryshëm.


Një ndër historianët e shquar dhe të parë të Historisë së Shqipërisë për periudhën Osmane, Syrja Vlora në vitin 1910 do të shkruante: Historianët turq dëshirojnë që historianët shqiptarë të shkruajnë me vërtetësi betejat ushtarake, po historianët turq a i shkruajnë disfatat e ushtrisë osmanë? Dhe sot, historiania turke, Prof. Mucize Unlu e ka përmbushur më së miri këtë dëshirë të saj, duke i shkruar mendimet e saj në librin e botuar me një objektivitet shkencor dhe duke i shoqëruar ato me një pasuri të madhe referencash arkivore dhe bibliografike, që ajo ka shrytëzuar. Në të njëtën mënyrë, edhe Syrja Vlora, edhe pse studimet e tij janë shkruar pothuajse 100 vjet më parë, ai u jepte një rëndësi të veçantë referencave të burimeve, i cili i kishte shfrytëzuar ato për qëllimet e tij studimore.

Syrja Vlora nuk kishte titull Akademik, kur disa autorëve, edhe pse me tituj shkencorë, në studimet e tyre të botuara u mungojnë referencat arkivore dhe bibliografike. Në përfundimin e këtij studimi, Prof. Mucize Unlu u është mirënjohëse dhe kolegëve të saj, veçanërisht udhëheqësit shkencor Prof. Mehmet Emin Yolalici si dhe Prof. Nedim Ipek, Prof. Fahri Sakal, Prof. Riza Karagoz dhe Behlul Kanacevic-it, të cilët e kanë ndihmuar atë, veçanërisht me sugjerimet dhe të dhënat burimore me qëllim që ajo t’i jepte publikut dhe studiuesve një botim me vlera të mëdha shkencore. Studiuesja thekson që në fillim të librit se studimet e para për Kosovën kanë qenë të përqendruara kryesisht në trajtimin e çështjeve politike dhe ushtarake. Por, ky drejtim i studimeve ka ndryshuar mbas Luftës së II Botërore, dhe sidomos në fund të shekullit XX dhe fillimeve të viteve të shekullit XX. Ajo e shpreh qartë në parathënien e librit arsyen e ndërmarrjes së këtij studimi për Kosovën.
Mucize Unlu thekson se, për të kuptuar historinë e Ballkanit, është e domosdoshme të njohësh historinë e Kosovës. Kosova, ky territor autokton shqiptar në shekuj, është bërë mikëpritsja dhe streha e sigurt e kombeve të ndryshme gjatë periudhave të ndryshme në historinë e Ballkanit. Këto kombe në ketë vend, – vazhdon studiuesja më poshtë-, nuk e kanë humbur asnjëherë dhe në asnjë kohë pamjen e mozaikut të kombësisë dhe të gjuhëve mëmë të tyre, nga ata kanë ardhur. Analizat dhe përfundimet që ajo ka nxjerrë janë rezultat i një pune disavjeçare kërkimore në arkivat e Ankarasë dhe të Stambollit, aq të pasura me dokumente osmane për historinë e Shqipërisë.

Për herë të parë të gjitha burimet

Në kërkimin e saj për të gjetur të dhëna të reja lidhur me historinë e Kosovës, gjatë viteve 1877- 1912, historianen e ka ndihmuar, jo vetëm vullneti dhe pasioni i saj për të zbuluar në mënyrë të hollësishme të gjitha ngjarjet e zhvilluara në ketë territor gjatë periudhës së lartpërmendur, por e ka ndihmuar dhe njohja në shkallën më të lartë që ajo ka për të gjitha llojet e shkrimit të gjuhës së vjetër turke, gjuhës osmane, me të cilën janë shkruar dokumentet e administrimit të Portës së Lartë.

Dokumentet e shkruara në këtë gjuhë, të cilat kanë qenë të panjohura deri tani nga studiuesit, janë burime arkivore, të cilat jepen në këtë studim për herë të parë nga autorja. Burimet arkivore, të cilat ajo i ka shfrytëzuar, përbëhen nga një letërkëmbim mjaft i gjerë ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale të Perandorisë osmane, kanunnametë, procesverbalet e mbledhjeve të parlamentit dhe raportet e inspektorëve të vilajeteve. Këtyre burimeve arkivore, u shtohen dhe burimet e shumta bibliografike, si vjetarët statistikorë (salnamet e përgjithshme dhe të veçanta për çdo vilajet), koleksionet e gazetave të botuara në Stamboll dhe në vilajetin e Kosovës, dhe studimet e shumta lidhur me historinë e Kosovës, të përgatitur nga studiues të ndryshëm. Shrytëzimi mjaft i pasur prej saj i këtyre burimeve e bëjnë këtë libër që të jetë jo vetëm një studim i plotë, por dhe një enciklopedi e gjerë për historinë e vilajetit të Kosovës. Por, megjithë këto burime të shumta që ajo ka shfrytëzuar, autorja vë në dukje se, veçanërisht në burimet arkivore ka një boshllëk të tyre, edhe pse ka bërë përpjekje të shumta për të gjetur këtë burim, i cili i ka munguar për ta shfrytëzuar gjatë përgatitjes së studimit të saj. Dhe ky burim i rëndësishëm historik që Mucize Unlu nuk ka mundur ta gjejë, janë regjistrat e gjykatave të vilajetit të Kosovës, të cilët u kanë munguar dhe studimeve të tjera të botuara deri tani. Në këto regjistra Kadiu ka shkruar në mënyrë të plotë, jo vetëm fermanët që i vinin nga Sulltani, letërkëmbimin e shumtë ndërmjet organeve qendrore dhe lokale, urdhrat që vetë ai i jepte nëpërmjet hyxhetëve dhe ilamëve, por dhe ngjarjet politike dhe fenomenet e natyrës që ndodhnin në krahinë dhe më gjerë.

Kompetencat e kadiut ishin mjaft të gjera, të përcaktuara këto në Kanunamenë e vitit 1535. Këto kompetenca të gjera të tij vazhduan deri në reformat e Tanzimatit të vitit 1839. Ato e bënin atë një funksionar të rëndësishëm të administratës osmane, duke e krahasuar sot me kryetarin e bashkisë së një qyteti. Gjetja e këtij burimi të lartpërmendur do të ishte një shërbim i madh për historinë e Perandorisë Osmane, Ballkanit dhe të Shqipërisë në përgjithësi dhe në veçanti për historinë e Kosovës. Këta regjistra janë me vlera të mëdha njohëse dhe shkencore, ashtu siç janë regjistrat e gjykatës së Beratit, apo siç njihet në historiografinë shqiptare sixhilati i Beratit dhe që sot ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit. Gjetja e tyre do të jetë një ndihmesë e madhe për studimet, të cilat do të ndërmerren në të ardhmen nga studiuesit. Ato, jam i mendimit se mund të ndodhen dhe në arkivat e Beogradit, por vetëm kërkimet e mëtejshme mund të përcaktojnë se ku ata mund të jenë ruajtur.

Deri tani, vend ndodhja e tyre nuk përmendet në asnjë studim të kryer nga studiuesit shqiptarë apo dhe të huaj, lidhur me sixhilatin e Kosovës. Në lëvizjet Kombëtare që kanë ndodhur në Ballkan, ashtu si dhe në Kosovë, një rol të rëndësishëm, shkruan autorja – , krahas faktorëve të tjerë politikë dhe socialë, ka luajtur dhe Revolucioni Francez. Gjithashtu, në këtë periudhë, kur në shtetet evropiane ishin hedhur hapa të reja zhvillimi në fushën e industrisë dhe të tregtisë, Perandoria Osmane vazhdonte të ishte e mbyllur ndaj këtyre ndryshimeve për shoqërinë turke dhe të vendeve që ndodheshin nën administrimin osman, ndërmjet tyre dhe territoret shqiptare, përfshirë dhe Kosovën. Periudha mbas vitit 1876 për shoqërinë shqiptare është pranuar si periudha e ilumunizmit. Por në ketë proces, – do të shkruajë studiuesja- , intelektualët shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, kanë zhvilluar një veprimtari mjaft të dendur për ndërgjegjësimin e popullit shqiptar ndaj zgjidhjes së të ardhmes së vendit të tyre.

Në studimin e saj, një vëmendje të veçantë ajo i kushton dhe krijimit të Lidhjes së Prizrenit, më 10 Qershor 1878, në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare. Në këtë kongres, – shkruan Mucize Unlu -se, pjesëmarrësit e saj theksuan se në mes të shqiptarëve Myslimanë, Katolikë dhe Ortodoksë nuk ka asnjë mosmarrëveshje, nuk është feja që i bashkon ata, por përpara çdo gjëje, ata janë shqiptarë. Duke u mbështetur dhe në mendimin e studiueses tjetër turke, Nuray Bozbora, ajo shkruan se shqiptarët mbas vitit 1908 i shpejtuan lëvizjet për pavarësinë e tyre. Zgjerimi i kryengritjes së përgjithshme e vitit 1912 solli dhe shkëputjen e kësaj krahine nga sundimi osman. Në kapitullin e parë lexuesit dhe studiuesit do të gjejnë të dhëna mjaft interesante lidhur me krijimin, ndarjen administrative, përbërjen dhe strukturën etnike dhe fetare të këtij vilajeti. Mjaft autorë japin në trajtesat e tyre data të ndryshme të krijimit të vilajetit të Kosovës. Kurse studiuesja e këtij punimi, në bazë të burimeve të shumta arkivore dhe bibliografike që ka shfrytëzuar, arrin në përfundimin se ky vilajet është krijuar në vitin 1877. Kjo formë organizimi ka vazhduar deri në vitin 1912, me gjithë ndryshimet e vazhdueshme që kanë ndodhur, si rezultat i kërkesave të popullsisë dhe të lëvizjeve anti-osmane.

Në vitet 1877-1878, Kosova përbëhej nga 7 sanxhaqe: sanxhaku i Prishtinës, ku Prishtina do të jetë dhe qendra e vilajetit, sanxhaku i Shkupit, Prizrenit, Nishit, Pazarit të Ri dhe Dibrës. Vilajeteve të lartpërmendur iu ishin bashkuar 27 kaza, 8 nahije dhe 1400 fshatra. Kurse në vitet 1908-1909 , Vilajeti i Kosovës do të përbëhej nga sanxhaku i Pejës (kazatë: Beranë, Guci, Peje, Tërgovishtë dhe Gjakovë), sanxhaku i Prishtinës (kazatë: Gjilan, Mitrovicë, Preshevë, Prishtinë, Vucitern, dhe Pazar i ri), sanxhaku i Prizrenit ( kazatë: Prizren, Gostivar, Tetove dhe Lume), sanxhaku i Senicës (kazatë: Akova, Kolashin i Poshtëm, Senicë dhe Varosh i Ri), dhe sanxhaku i Tasllexhes (kazatë: Prepol dhe Tashlexha). Në këto territore, përveç shqiptarëve që përbënin shumicën e popullsisë, kanë jetuar dhe bullgarë, çerkezë, izraelitë, romë, turq, serbë dhe vllehë. Autorja, për secilin prej këtyre grupeve etnike, përshkruan në mënyrë të përmbledhur historinë e ardhjes dhe të bashkëjetesës së tyre në Kosovë.

Në këtë vilajet, që nga krijimi i tij dhe deri në vitin 1912 kanë shërbyer 17 valinj të emëruar nga Porta e Lartë. Periudhën më të gjatë në këtë detyrë e ka kaluar valiu Mehmet Faik Pasha. Kurse valiu, i cili ka qëndruar në një periudhë mjaft të shkurtër, ka qenë Osman Pasha. Ndërrimi i shpeshtë i valinjve është bërë për shkak të vështirësive administrative dhe ekonomike si dhe të mossigurimit të një gjendjeje stabilizuese në sanxhaqët dhe kazatë e këtij vilajeti. Në kapitullin e dytë, autorja është përqendruar në strukturën fetare dhe etnike, që përbëhej vilajeti i Kosovës gjatë periudhës së ndërmarrë për studim.

Të dhëna për shqiptarët

Studiuesja Mucize Unlu, duke u mbështetur në një numër të madh dokumentesh osmane, përbërjen etnike dhe fetare të vilajetit të Kosovës i ka paraqitur ato në një numër të shumtë tabelash, të ndara këto sipas sanxhaqeve dhe besimeve të ndryshme fetare dhe në periudha të ndryshme kohore. Në vitin 1897, popullsia e vilajetit të Kosovës ishte 754.634 banorë. Prej këtyre 432.178 banorë i përkisnin besimit mysliman, 322.256 banorë i përkisnin besimit kristian dhe 1.885 banorë ishin Izraelitë.

Kurse në vitin 1910-1911, popullsia e Kosovës në bazë të të dhënave të A. Halacoglu-se, ishte e përbërë nga 908.915 banorë, e ndarë sipas këtij klasifikimi: 89.350 turq, 251.000 bullgarë, 13.680 bullgarë të besimit mysliman, 112.870 serbë, 150 grekë, 910 vllehë ortodoks, 418.250 shqiptarë myslimanë dhe 21.905 banorë si popullsi e përzier. Kapitulli i tretë përmban të dhëna të hollësishme lidhur me arsimimin dhe kulturën e vilajetit. Mbas reformave të Tanzimatit, duke parë vështirësitë që po kalonte sistemi arsimor, qoftë ai shtetëror dhe qoftë ai privat, në vitin 1857 u krijua Ministria e Arsimit. Duke filluar nga viti 1864 u krijuan këshillat arsimore të vilajeteve dhe çdo vilajet kishte drejtorinë e arsimit. Duke u mbështetur në të dhënat e vjetarëve statistikorë në Vilajetin e Kosovës gjatë vitit 1893-1894 ishin hapur 388 fillore (ibdidai) në të cilat jepnin mësim 316 mësues dhe mësonin 18744 nxënës. Ndërmjet tyre, në këtë vit shkollor, sanxhaku i Shkupit kishte numrin më të madh të shkollave fillore, duke arritur numrin 113, me 130 mësues dhe 5.840 nxënës.

Në këtë vilajet, një vend të rëndësishem zinin dhe shkollat rushdije, të cilat në fillim kishin karakterin e shkollës 8-vjecare, por më vonë ato morën karakterin e shkollës së mesme. Këto shkolla përgatisnin për kohën nëpunës të aftë të administratës osmane dhe studentë për shkollat e larta ushtarake. Numri i tyre në të gjithë vilajetin, gjatë vitit mësimor 1898-1899 arriti në 25, duke patur 70 mësues dhe 1545 nxënës. Numrin më të paktë në vilajetin e Kosovës e zinin shkollat e mesme (idadi). Shkolla e parë e mesme në vilajetin e Kosovës është hapur në Shkup, në vitin 1891. Në këtë shkollë, në vitin 1898-1899, nga 121 nxënës gjithsej, 111 prej tyre ishin të besimit mysliman dhe 10 të besimit jo mysliman. Shkolla e dytë e mesme është hapur më 31 Gusht të vitit 1902, në Senicë. Por, krahas këtyre shkollave, në vilajetin e Kosovës kanë qenë të hapura dhe shkollat për fëmijët parashkollorë të moshës 5- 6 vjeç, ose siç emërtoheshin në atë kohë sibjan mektëpleri. Gjatë vitit mësimor 1903-1904, në vilajetin e Kosovës kishte 118 shkolla të tilla, prej të cilave 42 ishin në Prizren, 30 në Tashllexha, 24 në Shkup dhe 22 në sanxhakun e Pazarit të Ri. Ashtu si dhe në vilajetet e tjera, edhe në vilajetin e Kosovës, mbas reformave të Tanzimatit,- thekson autorja -, shihet një rritje e numrit të hapjes se medreseve.

Në qoftë se, në vitet 1878-1879, numri i medreseve të vilajetit ishte 34, në vitet 1903-1904, ky numër arrin në 43. Numri i rritjes së medreseve ka sjellë si rezultat dhe rritjen e numrit të nxënësve, të cilët studionin në këto shkolla. Kështu, në qoftë se në 34 medresetë e vitit 1878-1879 vazhdonin të mësonin 1.028 nxënës, ky numër, në vitet 1903-1904 ishte 1.482 nxënës. Në vitin 1848, në Stamboll hapet dhe shkolla për përgatitjen e mësuesve, cikli i së cilës ishte 2-3-vjeçar, në vartësi të llojit të shkollës. Në këtë shkollë, ku përgatiteshin mësues, krahas mësimit të fesë, nxënësit merrnin mësime dhe për lëndët si Gjuhësi, Histori, Gjeografi, Aritmetikë, Algjebër, Drejtshkrim, Turqisht dhe Kimi. Gjithashtu, për nxënëset jepeshin dhe dy mësime praktike: Qepje dhe Qëndisje. Përveç këtyre shkollave, të cilat ishin hapur kryesisht për popullsinë e besimit mysliman, në vilajetin e Kosovës, ishin të hapura dhe shkolla për nxënësit e besimit jo mysliman. Në vitet 1878-1879 ndodheshin në këtë vilajet 22 shkolla për nxënësit jomyslimanë, prej të cilave 19 ishin për besimin kristian dhe 3 për nxënësit izraelitë. Kurse në vitet 1898-1899, numri i tyre shkon në 12, prej të cilave 8 i përkisnin komunitetit Bullgar, 2 atij serb, 1 për komunitetin grek dhe 1 komunitetin izraelit. Krahas tyre, një numër të vogël përfaqësonin dhe shkollat e huaja private të hapura nga disa institucione fetare të Evropës dhe të Amerikës. Këto shkolla mbetën jashtë kontrollit të Portës së Lartë dhe bëheshin mësime dhe propagandë feje dhe kulture, ashtu si dëshironin vendet që i kishin hapur. Perandoria Austro-Hungareze dhe Italia, ashtu siç hapën shkolla në të gjithë Shqipërinë, hapën shkollat e tyre edhe në disa zona të vilajetit të Kosovës, nëpërmjet të cilave, ato kërkonin të ushtronin ndikimin e tyre.
Roli i intelektualëve shqiptarë për shkollat

Por, njëkohësisht, studiuesja vë në dukje dhe rolin e madh të intelektualëve shqiptarë, si Naum Veqilharxhi, Zef Jubani, Kostandin Kristoforidhi, Jeronim De Rada, Thimi Mitko, Jani Vreto, Hoxhë Tahsini etj., për hapjen e shkollave shqipe dhe zhvillimin e kulturës kombëtare, duke botuar gazeta, libra dhe revista në vendet që ata jetonin dhe ua dërgonin bashkëkombësve të tyre, me gjithë vështirësitë dhe ndalimin nga Porta e Lartë. Krahas shkollave të lartpërmendura, Mucize Unlu, në studimin e saj sjell mjaft të dhëna me interes dhe për krijimin dhe funksionimin e bibliotekave dhe të shtypshkronjave në vilajetin e Kosovës. Bibliotekat në periudhën e administratës osmane janë themeluar në formën e vakëfit, nga persona privatë ose nga nëpunës me detyra shtetërore.

Ato ndodheshin, veçanërisht mbas periudhës së Tanzimatit (1839) pranë medreseve, xhamive dhe ndërtesave qeveritare. Nëpunësit e kësaj administrate e kishin për detyrë të përgatisnin një katalog për shumicën e librave, të cilët nuk ndodheshin në bibliotekë dhe të kujdeseshin për librat që nuk ruheshin në një gjendje të mirë. Në vilajetin e Kosovës, në vitet 1882-1883 kishte 4 biblioteka, të cilat ndodheshin në kazanë e Shkupit, Radovishtës, Pejës dhe të Gjakovës. Gjatë viteve 1903-1904, numri i tyre do të arrijë në 13 dhe do të përmbajnë 3.169 libra. Ndërmjet tyre, numrin më të madh të librave në ketë kohë e kishte biblioteka e Cami-i Kebir-it (Xhamia e Madhe) në Radovishtë. Një rol të rëndësishëm në Perandorinë Osmane për botimin e librave kanë luajtur dhe shtypshkronjat. Shtypshkronja e parë e shtetit Osman i përket vitit 1.725, e themeluar nga Ibrahim Teferriku. Përpara këtij viti, në territoret e Portës së Lartë, librat shkruheshin dhe kopjoheshin nga kaligrafe të specializuar dhe të aftë.

Por, krahas shtypshkronjave të administratës Osmane, veçanërisht gjatë periudhës së Tanzimatit është shtuar dhe themelimi i shtypshkronjave private dhe atyre ushtarake. Në vilajetet e Perandorisë Osmane, themelimi i shtypshkronjave filloi në vitin 1.864 me daljen e rregullores së Vilajeteve dhe si një provincë model, u krijua Vilajeti i Tunës. Me qëllim për të lehtësuar dhe për të shpejtuar punët administrative të zyrave të rejave, të cilat u formuan mbas kësaj rregulloreje, u hap dhe një shtypshkronjë. Në ketë shtypshkronjë, filluan të shtypen gazeta zyrtare dhe të pavarura, revista, vjetare statistikore, kalendare, kartolina dhe vepra të ndryshme shkencore etj. Duke parë rezultatet pozitive, nëpërmjet botimit të materialeve të lartpërmendura, filluan të themelohen shtypshkronja edhe në vilajetet e tjera. Shtypshkronja e vilajetit, e cila ishte hapur në vilajetin e Prizrenit, në vitin 1.871, së bashku me shfuqizimin e këtij vilajeti kaloi në qytetin e Prishtinës, e cila u bë dhe qendra e vilajetit të Kosovës. Në këtë shtypshkronjë janë shtypur materiale të tilla si gazeta e vilajetit, vjetarët statistikorë dhe vepra të ndryshme në gjuhën Osmane (Turqishte e vjetër).

Kurse në vitet 1898-1899, në shtypshkronjën që ndodhej brenda shkollës industriale në Shkup, janë shtypur libra jo vetëm në gjuhen osmane, por dhe libra në gjuhët Frëngjisht, Bullgarisht dhe Serbisht. Gazeta e vilajetit të Kosovës ka vazhduar botimin e saj për një përudhë 35-vjeçare, nga viti 1877 deri në vitin 1912. Mbas vitit 1908, me shpalljen Kushtetutës së Turqve të Rinj, parti, shoqëri dhe klube etnik themeluan shtypshkronjat e tyre, nëpërmjet të cilave do të botonin materiale për të shprehur krahas mendimit politik dhe krijimtari letrare dhe shkencore. Midis tyre mund të përmendim gazetën e botuar në Manastir në gjuhen Shqipe, me titull “Bashkimi i Kombit”. Në kapitullin e 4-t përgatitja e punimit do t’iu bëjë një analizë të thellë dhe shkencore politikës së Perandorisë Osmane, rolit dhe qëndrimit të shteteve fqinjë si Serbia, Bullgaria, dhe Mali i Zi dhe të Fuqive të Mëdha si Rusia, Austro-Hungaria dhe Anglia, të cilat kanë ndjekur gjatë viteve 1877-1912 ndaj Kosovës.

Gjendja e vështirë ekonomike dhe politika e ndjekur nga shtetet e lartpërmendura ndaj kësaj krahine, sollën si pasojë dhe shpërthimin e kryengritjeve anti-osmane, veçanërisht gjatë viteve 1910-1912. Dhe një përgjigje rreth situatës në të cilën ndodhej Kosova dhe pasojat që rrodhën prej kësaj gjendjeje, autorja e gjen në raportin e hartuar nga Pashko Vasa, drejtuar Portës së Lartë. Këtë raport, të panjohur deri tani nga studiuesit, Mucize Unlu e ka gjetur në arkivat osmane të Stambollit, dhe e jep pothuajse të plotë në studimin e saj.

Vaso Pasha, zbardh gjendjen

Ende, kur nuk kishte filluar lufta Osmane-Ruse në vitet 1877-1878, – do të theksojë historiania Turke-, në kohën kur u themelua vilajeti, këshilltari i Ministrisë së Brendshme, Vaso Efendi Shqiptari (Pashko Vasa), ishte për një vizitë në qendrën e vilajetit dhe mbas kësaj, së bashku me valiun shkuan për të inspektuar Prizrenin. Mbas përfundimit të vizitës, e cila zgjati një muaj, ai do të hartojë një raport të hollësishëm. Raporti i tij do të përmbante ngjarjet që ai kishte parë me sytë e tij dhe ato që kishte dëgjuar nga të tjerët. Ky raport do të tërhiqte vëmendjen nga pikëpamja e reflektimit të gjendjes, në të cilën ndodhej vilajeti.

Pashko Vasa do të shkruante në këtë raport se gjendja e popullit të këtij vilajeti deri në këtë moment në syrin e Portës së Lartë ka mbetur e panjohur. Porta e Lartë, nga që nuk ka marrë të dhëna të plota dhe të hollësishme mbi krahinën, nuk ka marrë masat e domosdoshme për përmirësimin e saj. Valinjtë, të cilët janë dërguar në krahinat e Prizrenit, Manastirit dhe Shkupit, me mundësitë e mëdha që kanë patur, nuk i kanë shkruajtur Portës së Lartë të vërtetën e gjendjes, ose nuk e kanë kontaktuar atë plotësisht. Për këtë arsye prefektët, që shihnin mosbërjen e përpjekjeve dhe mosinteresimin e shtetit për përmirësimin e gjendjes, dhe nëpunësit e lartë të administratës kishin filluar të bënin reforma. Si rezultat i mosmarrjes së masave të domosdoshme, mbi popullsinë myslimane-, do të shkruajë Pashko Vasa, janë bërë padrejtësira. Përveç kësaj, ajo që është më e rëndësishmja, – thekson ai -, popullsia, duke mbetur e privuar nga shërbimet industriale dhe nga arsimi që është e domosdoshme, në shkallë të parë për njerëzimin dhe qytetërimin, është detyruar të zhytet në injorancë. Krahas kësaj, çdo kërkesë e popullit, që qëndron larg kontrollit, vështirësitë që e vërtetojnë këtë, krahas administratës lokale, është dhe administrata qendrore”.

Një shembull të tillë të zemërimit të popullsisë shqiptare ndaj Portës së Lartë, historiania turke e jep edhe kur përshkruan ekspeditën ushtarake Osmane në Lume, në vitin 1909, nën drejtimin e Xhavit Pashës. Xhavit Pasha, në kohën që erdhi në Ferizaj, parisë iu drejtua me fjalët: “Ja, unë po shkoj në Lume. Lumen do ta zhduk nga harta e botës”. Këto fjalë i acaruan lumjanët dhe si përfundim i përleshjeve që u bënë ndërmjet popullit dhe ushtarëve, Xhavit Pasha u detyrua të lerë Lumen. Krahas padrejtësive që bëri , në kohën që pritej që Xhavit Pasha të gjykohej, i cili i bëri dëm ndikimit të qeverisë, me ngjarjen e Lumes, u dekorua dhe u emërua në Shkup. Ky veprim, – vë në dukje Mucize Unlu-, e rriti dhe më shumë pakënaqësinë e shqiptarëve ndaj qeverisë. Veçanërisht, çështje të tilla si dënimi në kuadrin e ligjit, dhe për fajin më të vogël i personave nga ana e gjykatave ushtarake, kur filluan të vepronin të çetat në Kosovë, marrja e taksave të ndryshme, që populli nuk e dinte pothuajse përse po e paguanin, u bënë shkak , -nënvizon Mucize Unlu-, që shqiptarët t’i drejtoheshin kryengritjes. Botimi i këtij libri në gjuhen shqipe, do të jetë një ndihmesë e madhe për historiografinë shqiptare. Burimet e shumta arkivore dhe bibliografike si dhe analiza shkencore e zhvillimit të ngjarjeve në vilajetin e Kosovës për periudhën kohore 1877-1912, që ajo ka marrë përsipër të trajtojë në këtë punim, do t’i japin jo vetëm një informacion të gjerë dhe me interes publikut shqiptar, por do të jenë dhe një bazë e gjerë mbështetjeje për studiuesit, të cilët do të ndërmarrin në të ardhmen studime të tjera lidhur me historinë e Kosovës.

SHKARKO APP